Lidhje

Kalendari Historik 19 qershor - 2002-06-19


Më 19 qershor 1961 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara arriti në përfundimin që shtetet nuk mund të përdorin dëshmi të siguruara me rrugë të paligjshme në gjykimin e çështjeve penale. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, në rastin e Mapp kundër Ohio-s, thuhet se të gjitha provat e siguruara nëpërmjet kontrolleve dhe sekuestrimeve, në kundërshtim me kushtetutën, janë të papranueshme në një gjykatë shtetërore. Vendimi bazohej në mbrojtjen që garantonte kushtetuta kundër kontrolleve të paautorizuara ligjërisht dhe kërkesës së shteteve për të zgjeruar të drejtat kushtetuese të qytetarëve të tyre. Profesori i Universitetit të Virginias, William Stuntz, thotë se ky vendim i gjykatës së lartë ishte shumë i rëndësishëm. “Është një rast jashtëzakonisht i rëndësishëm. Para këtij vendimi nuk kishte shumë ligje që të kontrollonin veprimet e policisë në Shtetet e Bashkuara. Ligji Mapp e ndryshoi këtë gjendje. Ai donte të thoshte që ligjet dhe gjykatat federale tash e mbrapa do të ishin në gjendje t’u thoshnin policive lokale se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bënin. Ky ishte një ndryshim jashtëzakonisht i madh.” Si rezultat i këtij ligji, thekson profesori Stuntz, rajonet e policisë në mbarë vendin filluan të kujdesen që punonjësit e tyre të ishin më të përgatitur.

Më 19 qershor 1910 u kremtua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara Dita e Baballarëve. Në Spokan, të shtetit Washington, Sonora Dodd i bindi udhëheqësit e kishave të qytetit të përshëndesnin baballarët gjatë shërbesave të posaçme kishëtare në këtë datë. Si gjithë traditat e tjera amerikane përshëndetja e posaçme për baballarët fitoi popullaritet e u përhap edhe në qytete të tjera. Më 1916, presidenti Woodrow Wilson, lëshoi një thirrje të posaçme për të nderuar baballarët amerikanë. Në vitin 1924, presidenti Calvin Coolidge rekomandoi nderimin në shkallë kombëtare të Ditës së Baballarëve për të vendosur lidhje më të ngushta ndërmjet baballarëve dhe fëmijëve të tyre dhe për t’i bërë baballarët plotësisht të vetëdijshëm për detyrimet e tyre.

XS
SM
MD
LG