Lidhje

Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk bien dakort për mënyrën e trajtimit të imigracionit të paligjshëm - 2002-06-17


Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian nuk arritën të bien dakord mbi mënyrën e trajtimit të imigracionit të paligjshëm dhe ia lanë çështjen për diskutim takimit të nivelit të lartë të kësaj organizate që do të zhvillohet këtë javë. Shumica e ministrave që u takuan në Luksemburg, mbështesin propozimin britanik për t’ua ndërprerë ndihmën vendeve që nuk bashkëpunojnë në fushatën e Bashkimit Evropian kundër imigrantëve të paligjshëm. Propozimi përqendrohet tek vendet në zhvillim që nuk arrijnë të përmirësojnë kontrollin e kufijve të tyre, nuk pranojnë të marrin masa ndaj trafikut të njerëzve dhe as shfaqin gadishmëri për t’i marrë përsëri shtetasit e tyre, përmes marrëveshjeve të ripranimit. Por Franca dhe Suedia i kundërshtojnë këto masa. Ato rekomandojnë që vendeve nga ku e ka origjinën emigracioni i paligjshëm, duhet t’u ofrohen kushte më favorizuese për tregëtinë, në këmbim të bashkëpunimit të tyre. Pritej që ministrat të merrnin në konsideratë përpjekjet për të zbutur një mosmarrëveshje që mund të çonte në shtyrjen e zgjerimit të parashikuar të Bashkimit Evropian. Pyetja që shtrohet është nëse fermerët e vendeve kandidate duhet të marrin të njëjtat subvencione të larta, që u jepen vendeve që janë aktualisht anëtare të Bashkimit Evropian. 10 vende shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, gjatë dy viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG