Ushtria amerikane thotë se një avion F-16 hodhi dje gabimisht një apo dy bomba 500 kilogramëshe mbi një grup ushtarësh kanadezë që po zhvillonin stërvitje me forcat amerikane pranë qytetit jugor afgan, Kandahar. Zyrtarët ushtarakë kanadezë thonë se 4 ushtarë nga Kanadaja humbën jetën dhe 8 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve rëndë. Ndërkohë, agjencia e lajmeve me bazë në Pakistan, Shtypi Islamik Afgan njofton se, të paktën tre persona u vranë nga shpërthimi i një bombe në një treg mjaft të populluar ne qytetin Khost në Afganistanin Lindor. Sipas njoftimit, shpërthimi ndodhi sot herët disa qindra metra nga spitali ushtarak i qytetit. Nuk është e qartë, nëse shpërthimi është nxitur nga motive politike apo nga grindjet ndërmjet grupeve rivale afgane. Në njoftim thuhet se ky ishte shpërthimi i tretë në qytetin Khost që nga përmbysje e regjimit teleban islamik në fund të vitit të kaluar. Dihet që regjimi taleban dhe rrjeti al-Qaida kanë mbështetje të madhe në këtë qytet që ndodhet pranë kufirit me Pakistanin.