Lidhje

Washingtoni dhe Londra intensifikojnë retorikën kundër Sadam Huseinit - 2002-04-06


Iraku bëri të ditur dje se do të ndërpriste për një muaj eksportet e naftës për t’i bërë presion Izraelit të tërhiqet nga territoret palestineze. Por analisitë të ndryshëm thonë se çështja palestineze asnjëherë nuk ka qënë një nga prioritet e Sadam Huseinit. Vendet e tjera arabe nuk e kanë mbështetur idenë e Bagdatit për ta përdorur naftën si një armë politike, ndërkohë që Washingtoni dhe Londra e kanë intensifikuar ditët e fundit retorikën kundër Sadam Huseinit. Presidenti irakian Sadam Husein tha dje se Iraku do të ndërpresë eksportimin e naftës për një muaj, ose derisa Izraeli të tërhiqet nga territoret palestineze. Para këtij njoftimi, gjatë fundjavës, presidenti irakian u takua me komandantët e ushtrisë dhe tha se Iraku nuk frikësohet nga Shtetet e Bashkuara. Si Shtetet e Bashkuara edhe Britania e kanë shtuar kohët e fundit retorikën kundër Irakut, duke nxitur spekullimet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në të ardhmen. Presidenti Bush dhe kryeministri Blair thanë të shtunën se ata besojnë se Bagdati po prodhon armë të shkatërrimit në masë dhe për këtë arësye duhet bërë diçka. ACT -- “Ende nuk kemi marrë ndonjë vendim. Por të lejosh prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë nga një shtet si Iraku pa bërë asgjë, do të ishte një gabim i rëndë, do të thotë të harrosh mësimet e 11 shtatorit dhe ne nuk do ta bëjmë këtë”. Si Londra dhe Washingtoni thonë se nuk është marrë ndonjë vendim për ndërhyrje ushtarake. Por presidenti Bush sheh një lidhje midis kërcënimit të Sadam Huseinit dhe luftës kundër terrorizmit. ACT. BUSH “Ka një lidhje midis atij që përdor armë kimike në vendin e tij për të qëndruar në pushtet dhe në të njejtën kohë përpiqet të prodhojë një armë që mund të drejtohet nga Evropa, Izraeli, ose ndonjë vend tjetër, për qëllime të politikës së tij të jashtme. Nuk ka se si të mos e shikosh këtë kërcënim”. Presidenti Bush theksoi se administrata e tij synon largimin e udhëheqësit irakian nga pushteti. Kryeministri britanik, i cili ndeshet me kundershtime të forta në vendin e tij për një ndërhyrje të mundshme ushtarake, tha se Iraku do të ishte një vend më i mirë pa Sadam Huseinin. Fillimisht Iraku u bërë thirrje vendeve të tjera arabe të shkurtonin eksportet e naftës për t’i bërë presion Washingtonit të ndikonte tek Izraeli për t’i dhënë fund inkursioneve në territoret palestineze. Vendet e tjera eksportuese të naftës, me përjashtim të Iranit, nuk e kanë pranuar idenë e përdorimit të naftës si një armë politike. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë klientët krysorë të naftës irakiane. Por analistët thonë se bojkoti i Irakut nuk do të ndikojë në rezervat botërore të naftës pasi shumica e vendeve të OPEK-ut, nuk e kanë mbështetur idenë e Irakut. OPEK-u ka thënë se do të ndërhyjë në se lind nevoja për të kompensuar mungesën e naftës në treg. Iraku prdhon mbi 2 milionë fuçi nafte në ditë.

XS
SM
MD
LG