Izraeli e lejoi të dërguarin amerikan për Lindjen e Mesme, Anthony Zinni që të takohet me udhëheqësin e rrethuar palestinez Yasser Arafat, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë me intensitet ofensivën e tyre një javore në qytetet palestineze. Një zëdhënës i zotit Arafat thotë se bisedimet 90 minutëshe në Ramallah u përqëndruan në rrugët e zbatimit të një plani për armëpushim. Ai thotë se zoti Zinni dhe udhëheqësi palestinez ranë dakord që të zgjerojnë takimet amerikano-palestineze në orët e ardhshme. Kryeministri izraelit, Ariel Sharon nuk kishte pranuar ta lejonte zotin Zinni të vizitonte zotin Arafat, ndërkohë që Izraeli përpiqej të izolonte udhëheqësin palestinez. Zoti Sharon u tërhoq nga qëndrimi i tij kur Presidenti Bush shpalli një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme. Presidenti i bëri thirrje Izraelit të tërhiqet nga qytetet palestineze të pushtuara kohët e fundit dhe të mos krijojë më vendbanime në territoret e pushtuara. Zoti Bush e quajti zoti Arafat një udhëheqës të dështuar, duke e kritikuar ashpër që nuk kishte ndalur dot sulmet terroriste palestineze mbi izraelitët. Presidenti tha se do të dërgojë Sekretarin e Shtetit, Colin Powell në Lindjen e Mesme javën e ardhshme në një përpjekje të re për t’u dhënë fund luftimeve dhe për të ringjallur bisedimet për armëpushim.
BE përshëndeti vendimin e Presidentit Bush
Zyrtarët e Bashkimit Evropian përshëndetën vendimin e Presidentit Bush për të dërguar javën e ardhshme në Lindjen e Mesme, Sekretarin amerikan të Shtetit, Colin Powell. Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi tha se nisma e re e Presidentit Bush për paqen, është e rëndësishme dhe duhet mbështetur. Megjithatë, zoti Prodi thotë se përpjekjet e përbashkëta ndërkombëtare janë të domosdoshme për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Përveç vizitës së tij në Lindjen e Mesme, Sekretari Powell ka në plan të takohet me zyrtarë të Bashkimit Evropian javën e ardhshme në Madrid për të diskutuar mbi krizën në Lindjen e Mesme. Në bisedime mund të marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan dhe ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov.