Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë hyrë në fazën e dytë të luftës kundër terrorizmit, qëllimi i së cilës është që të eliminohet çdo strehë e terroristëve. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë gjatë ceremonisë përkujtimore për gjashtëmujorin e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, Presidenti Bush tha se çdo terrorist duhet të shihet si një i arratisur ndërkombëtar. Ai premtoi një fushatë globale diplomatike, financiare dhe ushtarake kundër rrjeteve terroriste.
Presidenti kishte në sfond 170 flamuj, për nder të vendeve pjesëmarrëse në përpjekjet antiterroriste. Ai përmendi veçanërisht Gjermaninë, Danimarkën dhe Afganistanin si vende, ushtarë të të cilëve kanë dhënë jetën në luftë.
Presidenti paralajmëroi gjithashtu për beteja të tjera në të ardhmen, duke thënë se të gjitha vendet duhet ta marrin seriozisht kërcënimin terrorist, në përmasa katastrofike. Ai gjithashtu përmendi kërcënimin e sulmeve kimike, biologjike dhe bëthamore, duke thënë se njerëzit që nuk respektojnë jetën, nuk duhet të lejohen kurrë të kenë në duart e tyre, ato që ai i quajti instrumentet e sofistikuara të vdekjes.