Lidhje

Kalendari Historik 2 mars - 2002-03-04


Më 2 mars 1904 lindi në Springfilld të shtetit Masaçusets, shkrimtari dhe ilustruesi i njohur i librave, “Dr. Seuss”(sus). Emri i tij i vërtetë ishte Theodor Seuss Geisel (teodor sus gajzel). Ai studioi letërsi angleze, mësoi vetë të bëjë skica dhe punoi fillimisht si karikaturist, deri në vitin 1937. Këtë vit duke përdorur pseudonimin, “Dr. Seuss”, ai shkroi dhe ilustroi librin e tij të parë për fëmijë. Ky libër u pasua nga dhjetëra të tjerë, shkruar kryesisht për fëmijë, por që u pëlqyen edhe nga lexues të të gjitha moshave. Librat e doktor Susit dalloheshin për gjuhën e tyre të thjeshtë, e cila i ndihmonte shumë fëmijë të mësonin të lexonin. Ndoshta krijesa më e njohur e doktor Susit i përket vitit 1957. Ajo është një mace komike, që përpiqet t’u japë zemër dy fëmijëve në një ditë me shi. Libri mban titullin Macja në Kapelë. Ai punoi gjithashtu edhe për filma dokumentarë dhe vizatimorë. Një nga librat e tij të fundit, i botuar kur ishte në të tetëdhjetat, u drejtohej të rriturve. Në këtë libër të titulluar Njeriu Plaket Vetëm Një Herë, autori shikon nga një këndvështrim humoristik moshën e pleqërisë. Teodor Sus Gajzel, Doktor Susi, vdiq në vitin 1991, në moshën 87 vjeç.

Më 2 mars 1790 Kongresi amerikan autorizoi përdorimin e fondeve për numërimin e parë të popullsisë. Punonjës të policisë federale dhe qindra ndihmës të tyre në të 16 shtetet dhe në Territorin e Ohajos, i ranë kryq e tërthor vendit, duke numëruar njerëzit. Kur u mblodhën të gjitha të dhënat, doli që popullsia e përgjithshme e vendit ishte 3 milionë 929 mijë e 314. Virxhinia ishte shteti më i populluar dhe Filadelfia e Pensilvanisë qyteti me numrin më të madh të banorëve. Pika e parë e Kushtetutës kërkonte që regjistrimi i popullsisë të bëhej brenda tre vjetësh nga mbledhja e parë e Kongresit dhe pas kësaj një herë në çdo 10 vjet. Qëllimi fillestar i regjistrimit ishte të llogaritej përfaqësimi përpjestimor, me fjalë të tjera numri i përfaqësuesve që do të kishte çdo shtet në Dhomën e Përfaqësuesve, duke u bazuar në popullsinë e tij.

XS
SM
MD
LG