Numri i viktimave nga dhuna mes izraelitëve dhe palestinezëve vazhdoi të rritet sot, pas një seri sulmesh të reja. Të paktën 5 izraelitë dhe 3 palestinezë janë deri tani në incidentet më të fundit. Dhuna e sotme filloi kur një palestinez i armatosur hapi zjarr në një restorant të Tel Avivit, duke vrarë të paktën 3 izraelitë.
Disa orë më vonë, një vetëvrasës palestinez hodhi veten në erë në një autobuz në qytetin Afula të Izraelit qëndror, duke shkaktuar vdekjen e një pasagjeri izraelit.
Në akte të tjera të dhunshme, palestinezë të armatosur në Bregun perëndimor u zunë pritë disa makinave me izraelitë, duke vrarë një grua. Edhe nga një shpërthim në oborin e një shkolle arabe në Jeruzalemin lindor thuhet se u plagosën 8 vetë, mes tyre edhe disa fëmijë.
Helikopterët luftarakë izraelitë qëlluan me raketa selinë palestineze të sigurimit në Kan Junis në Rripin e Gazës. Nuk pati njoftime të menjëhershme për viktima. Gjithashtu të paktën 15 palestinezë u plagosën, disa prej tyre rëndë, nga një shpërthim i fuqishëm në qytetin e Gazës.
Mubarak inicion takimin Sharon-Arafat Presidentit i Egjiptit Hosni Mubarak tha se do të ftojë kryeministrin e Izraelit, Ariel Sharon, dhe udhëheqësin palestinez, Yasser Arafat, që të takohen për të diskutuar mbi mënyrat për ripërtëritjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Në një intervistë që i dha dje rrjetit televiziv CNN, zoti Mubarak tha se shpreson të bindë të dyja palët që të pranojnë një propozim saudit për njohjen e Izraelit nga ana e vendeve arabe, si bazë më vazhdimin e bisedimeve. Të dyja palët kanë thënë se përshëndesin përpjekjet e Egjiptit, por mjetet e informimit thonë se ata nuk e kanë pranuar ftesën. Zoti Mubarak pritet t’u bëjë thirrje Shteteve të Bashkuara që të angazhohen më tepër në procesin e paqes, kur ai të takohet sot me presidentin Bush.