Lidhje

Në dy kampe palestineze 13 të vrarë dhe 100 të plagosur(1 mars) - 2002-03-01


Forcat izraelite vranë 13 palestinezë dhe plagosën më shumë se 100 të tjerë gjatë sulmeve ndaj dy kampeve refugjatësh në Bregun Perëndimor.

Njoftohet se edhe sot në mëngjes vazhduan të shtëna sporadike në qytetin Jenin dhe kampin e refugjatëve në afërsi të tij si edhe në kampin Balata në afërsi të qytetit Nablus. Trupat izraelite të mbështetura nga disa tanke hynë në të dyja këto zona dje në mëngjes.

Zyrtarë izraelitë thonë se këto dy zona sigurojnë atë që ata e cilësojnë si infrastrukturë terroriste për ekstremistë palestinezë.

Burime sigurimi nga të dyja palët thonë se forcat izraelite janë në kontroll të të gjitha hyrjeve dhe ndërtesave strategjike përreth kampit Balata, ku gjatë sulmit u vra një ushtar izraelit.

Washingtoni i bëri thirrje Izraelit të tregojë përmbajtje maksimale për të mënjanuar dëmtimin e civilëve. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, i bëri thirrje Izraelit të tërhiqet menjëherë nga kampet dhe thotë se vetëm rifillimi i bisedimeve politike mund të çojë në një armëpushim të qendrueshëm izraelito palestinez.

Të merekurën, autorja palestineze e një sulmi vetvrasës shkaktoi plagosjen e tre policëve izraelitë në një postbllok izraelit në Bregun Perëndimor.

XS
SM
MD
LG