Tanket izraelite u tërhoqën nga rajoni përreth kompleksit të selisë së udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat, në qytetin Ramallah. Por Izraeli vazhdon ta mbajë akoma të izoluar zotin Arafat në qytetin e Bregut Perëndimor.
Tanket filluan të largohen sot në orët e para të mëngjesit në një largësi të mjaftueshme për ta lejuar udhëheqësin palestinez të largohet nga shtëpia dhe zyrat e tij.
Izraeli e ka mbajtur zotin Arafat thuajse në arrest shtëpie që nga muaji dhjetor, si ndëshkim për një varg shpërthimesh vetëvrasëse anti-izraelite nga ekstremistë islamikë. Tani kabineti izraelit i sigurimit thotë se duhet të shqyrtojë çdo kërkesë të zotit Arafat për t’u larguar nga qyteti Ramallah.
Kryetari i delegacionit palestinez në bisedime me izraelitët, Saeb Erakat, e quajti të papranueshëm vendimin e kabinetit. Ai tha se zoti Arafat tashmë mund të lëvizte nëpër qytetin Ramallah, ndonëse nuk tha se si.
Izraeli kërkon që palestinezët t’i dorëzojnë tre personat e dyshimtë të arrestuar javën e kaluar lidhur me vrasjen e ministrit izraelit të Turizmit, para një viti. Izraeli kërkon gjithashtu që palestinezët të arrestojnë edhe terroristë të tjerë të dyshimtë, që vazhdojnë të jenë akoma të lirë.
Ndërkohë ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Peres, i kërkoi ndjesë kryetarit të asamblesë autonome palestineze, Ahmed Kuria. Të dielën e kaluar trupa izraelite hapën zjarr kundër makinës së zotit Kuria. Palestinezët thonë se makina u qëllua disa herë por nuk pati viktima.
Zyrtarë palestinezë thonë se ushtarët hapën zjarr kundër makinës, kur ajo u ndal tek një postbllok izraelit, në afërsi të qytetit Ramallah. Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se makina e paidentifikuar po lëvizte me shpejtësi drejt postbllokut dhe ushtarët u trembën se ajo do t’i godiste ata.
Në deklaratë thuhet se trupat qëlluan në ajër në shenjë paralajmërimi, por nuk thuhet në se plumbat e qëlluan makinën. Ndihmësit e zotit Kuria thonë se Izraeli ishte njoftuar që më parë lidhur me planet e tij të udhëtimit.