Para 40 vjetësh, më 20 shkurt 1962 astronauti John Glenn u bë amerikani i parë që dilte në orbitë rreth Tokës. Një raketë Atlas nxori në hapësirë astronautin John Glenn dhe anijen e tij njëvendëshe Mercury. Zoti Glenn qendroi në hapësirë në kabinën Friendship 7, për pesë orë, duke u vërtitur tri herë rreth Tokës. Qindra miliona njerëz nga e gjithë bota ndoqën me radio ose televizion, aventurën në hapësirë të John Glennit. Më vonë ai ndoqi një karrierë të shquar në Senatin e Shteteve të Bashkuara, ku përfaqësoi shtetin Ohio nga viti 1974 e derisa doli në pension nga Senati, pas zgjedhjeve të vitit 1998. Por po atë vit, ndërsa vazhdonte të punonte akoma në Senat, ai u kthye në hapësirë, duke fluturuar në bordin e një anijeje për vajtje-ardhje në hapësirë në moshën 77 vjeç.
Frederick Douglass, i cili shikohet nga shumë historianë si udhëheqësi më i rëndësishëm afrikano-amerikan i shekullit të 19-të, vdiq në Uashington më 20 shkurt të vitit 1895. Ai kishte lindur skllav, pranë qytetit Easton, të shtetit Maryland, në shkurt të vitit 1817. Data e saktë nuk dihet. Ai mësoi të lexojë duke u dhënë fshehurazi ushqim fëmijëve të bardhë që e mësonin atë. Zoti Douglass ishte 21 vjeç kur u arratis dhe iku në New England, ku nuk ekzistonte skllavëria dhe ku ai punoi si punëtor krahu. Rastësisht atij i kërkuan të fliste lidhur me përvojën e tij si skllav në një takim të Shoqatës së shtetit Masaçuset Kundër Skllavërisë. Ai pati aq sukses saqë shoqata e mori në punë për të mbajtur fjalime kundër skllavërisë nëpër shtetet e pjesës verilindore të vendit. Më vonë, zoti Douglass ndihmoi për të rekrutuar ushtarë zezakë dhe për të grumbulluar fonde për përpjekjet e Unionit për të fituar Luftën Civile Amerikane. Pikëpamjet e tij mbi skllavërinë patën një peshë të madhe politike ndërmjet forcave abolicioniste të Veriut. Frederick Douglass vdiq më 20 shkurt 1895, në moshën 78 vjeç.