Lidhje

Presidenti Bush në Korenë e Jugut (19 shkurt) - 2002-02-18


Presidenti Bush ndodhet në Korenë e Jugut ku ai mund të përballet me protesta lidhur me karakterizimin që i ka bërë Koresë së Veriut si Bosht i së Keqes që mbështet terrorizmin dhe përpiqet të zotërojë armë të shkatërrimit në masë.

Sot policia u përlesh me një grup demonstruesish nga pranë një baze ushtarake të Seulit ku aeroplani i Presidentit Bush arriti nga Tokioja. Gjatë javës së kaluar protestuesit kanë mbajtur një numër mitingjesh në kryeqytet. Ata thonë se komentet e Presidentit Bush për ”Boshtin e së Keqes” kanë rritur tensionet në gadishullin e ndarë. Sot zoti Bush takohet me Presidentin e Koresë së Jugut Kim Dae Jung dhe pritet të vizitojë zonën e çmilitarizuar që ndan Korenë e Veriut nga e Jugut.

SHBA nuk ka plane të afërta për sulm kundër Iranit, Irakut ose Koresë së Veriut Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, u përpoq t’i sigurojë aleatët e Shteteve të Bashkuara se nuk ka plane të afërta për ndonjë operacion të ri ushtarak kundër Iranit, Irakut ose Koresë së Veriut, vende që presidenti Bush i cilësoi si Boshti i së Keqes. Dje në një konferencë shtypi në Tokio, së bashku me presidentin Bush dhe kryeministrin japonez, Junichiro Koizumi, zoti Powell u shpreh se Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë të njohura idetë dhe pikëpamjet e tyre por aleatët nuk duhet të tremben për ndonjë gjendje lufte që nesër.

Një numër udhëheqësish rusë, aziatikë dhe të Bashkimit Evropian, kanë shprehur shqetësim se një operacion i njëanshëm i Shteteve të Bashkuara kundër Irakut, mund ta përçajë koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Në anën tjetër të Paqësorit, në shtetin e Kalifornisë, nënpresidenti Dick Cheney, tha se është fakt i njohur se këto vende kërkojnë armë të shkatërrimit në masë dhe strehojnë organizata terroriste.

Zoti Cheney tha se fjalimi i presidentit ka shkaktuar njëfarë nervozizmi në disa qarqe, por shumica e amerikanëve ndihen të sigurt që kanë një kryekomandant i cili u thotë të vërtetën ashtu siç është.

XS
SM
MD
LG