Lidhje

Izraeli kundërpërgjigjet (8 shkurt) - 2002-02-08


Ushtria izraelite thotë se trupat e saj duke përdorur tanke, sulmuan zona të Bregut Perëndimor të kontrolluara nga palestinezët dhe arrestuan tre militantë të dyshuar palestinezë. Sulmet që u kryen natën dhe sot në mëngjes herët në qytetet e Hebronit dhe Nablusit, si edhe në fshatrat Tamoun dhe Beir Zeit, ishin një kundërpërgjigje për sulmin e së mërkurës nga një person i armatosur, që vrau tre izraelitë në vendbanimin hebraik, Hamra, pranë Nablus.

Në një akt tjetër dhune, një burrë palestinez u vra mbrëmë në një shpërthim pranë një postblloku të ushtrisë izraelite, pranë qytetit të Betlehemit.

Dje në Washington, Presidenti Bush i tha Kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, në një takim në Shtëpinë e Bardhë, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ushtrojnë trysni mbi udhëheqësin palestinez Yasser Arafat për të marrë masa ndaj ekstremistëve.

Duke folur para gazetarëve, zoti Bush tha se do të vazhdojë përpjekjet për të bindur zotin Arafat që ai të ndërmarrë hapa serioze dhe, konkrete për të pakësuar veprimtarinë terroriste në Lindjen e Mesme. Njëkohësisht, zoti Bush tha se është e rëndësishme që të ndihmohen financiarisht palestinezët që nuk janë marrë me terrorizmin, që ata të mund të kenë një jetë më të mirë.

Udhëheqësi izraelit tha se ai dhe qeveria e tij e konsiderojnë zotin Arafat si pengesë për paqen. Por ai tha gjithashtu se beson se një ditë do të arrihet paqja dhe se në fund të procesit të paqes, do të ketë një shtet palestinez.

XS
SM
MD
LG