Ministria e Jashtmme shqiptare njoftoi se në orët e vonë të mbrëmjes së djeshme një grup personash kanë sulmuar në ambientet e hotelit ministrin e Integrimit Paskal Milo, ambasadorin shqiptar në Nato Ilir Bocka, zëdhënësin e parlamentit Skender Duka dhe shoferin e Ambasadorit shqiptar. Ata janë keqtrajtuar fizikisht dhe sipas burimeve nga Brukseli ministri Milo është kuruar në spital, së bashku me zëdhënësin e Parlamentit i cili ka bërë sot një ndërhyrje kirurgjikale, e po ashtu dhe shoferi i ambasadës i cili duket se ka pësuar demtimet më të rënda.
Sipas deklaratave te lëshuara nga zoti Milo në Bruksel mes personave që i kanë sulmuar ishte edhe Sali Luzha, një personazh i njohur në Shqipëri për problemet me drejtësinë. Luzha në të vërtetë ka qenë në gjendje arresti dhe ishte larguar me lejen e drejtësisë shqiptare për kurim jashtë shtetit. Sipas ministrit Milo, Luzha dhe një grup personash të tjerë kanë qenë në hollin e hotelit të ulur me disa nga përfaqësuesit e partive opozitare të ftuara në takimin e sotëm. Zoti Milo ka deklaruar se sulmet e këtyre personave kishin nisur që në mbërritjen e tyre ne aeroport me fyerje të rënda. Nga ana e saj policia belge i ka bërë të ditur autoriteteve diplomatike shqiptare në Bruksel se të gjithë personat janë lehtesisht të identifikueshëm pasi holli i hotelit survejohej nga kamera.
13 kryetarë të partive parlamentare ndodheshin në Bruksel me ftesë të komisionit të Jashtëm të Parlamentit europian, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Shqipëri, në prag të hapjes së negociatave për marrëveshjen e asocim stabilizimit me Bashkimin Europian.