Lidhje

Doris Pack për takimin e Brukselit - 2002-01-23


Me ftesë të Komisionit te Jashtëm te Parlamentit Evropian kryetaret e partive parlamentare shqiptare shkojnë nesër në Bruksel për të informuar Parlamentin Evropian mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri. Takimi do të ketë natyrë informuese ku politikanët shqiptarë do të paraqesin pikpamjet e tyre dhe do të dëgjojnë rekomandimet e deputetëve evropianë për përmirësimin e situatës politike në Shqipëri.

Të paaftë për të arritur një marrëveshje mes tyre, edhe një herë tjetër politikanët shqiptarë i drejtojnë sytë nga Evropa. Por Evropa, pjesë e së cilës Shqipëria ka 10 vjet që përpiqet të bëhet, jo në aspektin fizik, por në atë të zhvillimit, e ka dhënë qartë mesazhin e saj disa herë: ndihmoni veten, që edhe ne t’u ndihmojmë.

“Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm se është sjellja e tyre, ata janë të zotët e vendit, jo unë, jo Bashkimi Evropian, thotë zonja Pack. Në se duan të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian duhet të ndjekin rrugën e duhur, duhet të zbatojnë rekomandimet që u kemi dhënë.”

Deputetja e Parlamentit Evropain dhe raportuesja për marrëveshjen e asociimit dhe stabilizimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ndonëse shpreh shpresë që takimi i Brukselit do të ndihmojë në arritjen e një kompromisi, thekson se nga takimi nuk pritet të arrihet ndonjë zgjidhje konkrete.

“Nesër, thotë zonja Pack, nuk do të gjejmë ndonjë zgjidhje, por ne do t’u paraqesim disa ide dhe kur të kthehen të gjejnë mundësinë për kompromis. Në se jo, do të humbasin edhe një rast tjetër. ”

Dy problemet kryesore për të cilat deputetja evropiane pret arritjen e një marrëveshjeje janë ai i zgjidhjes së problemeve të dala nga zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Ndërsa shpreh bindjen se opozita do të kthehet së shpejti në parlament, zonja Pack, i kritikon ashpër zgjedhjet e kaluara dhe i bën thirrje Partisë Socialiste të mos e zgjedhë presidentin vetëm me votat e saj.

“Nuk është e mundur që shumica e vjedhur të votojë për presidentin e gjithë vendit”, thotë deputetja Pack.

Por si mund të zgjidhet presidenti? A mund të arrihet kompromisi midis dy rivaleve të vjetra PS dhe PD për kandidatin? Zonja Pack ofron një propozim disi ambicioz.

“Unë do t’u kërkoj të arrijnë një konsensus të gjerë, thotë zonja Pack, duke gjetur një kandidat as të majtë, e as të djathtë. Shpresoj të ketë një individ jashtë këtyre partive që të ishte kandidat për president. Do të ishte mirë për gjithë vendin për të shëruar plagët e shkaktuara nga zgjedhjet e manipuluara. ”

Në Shqipëri takimi i Brukselit ka ngjallur shpresa të shumta. Por përfundimi i tij do ta tregojë në se këto shpresa janë të justifikuara apo jo.

XS
SM
MD
LG