Qeveria e Maqedonisë miratoi sonte projektligjin për vetëqeverisje vendore, pa probleme, duke i hapur rrugën dërgimit të tij në parlament për miratim brenda kësaj jave. Dy javë pas miratimit të këtij projektligji duhet të mbahet konferenca e vendeve dhuruese për Maqedoninë. Kalimi i shpejtë i projektligjit në qeveri u bë pasi sot në mesditë udhëheqësit e katër partive më të mëdha politike në vend ranë dakord për projektligjin e propozuar në një takim me presidentin Trajkovski dhe arritën marrëveshje edhe për pikat e fundit për të cilat palët kishin qëndrime të ndryshme. Në takimin me presidentin Trajkovski merrte pjesë edhe i dërguari i posaçëm i BE-së Alen Le Rua që ka shërbyer si ndërmjetës mes palëve dhe që u shpreh se sot është pirë shampanjë me rastin e arritjes së marrëveshjes për këtë cështje.
Më në fund marrëveshja midis katër partive kryesore politike u arrit, tha zoti le Rua.
Projektligji për vetëqeverisje vendore pritet të kalojë pa probleme edhe në parlament pasi udhëheqësit politikë kanë rënë dakord që deputetët e tyre në kuvend nuk do të paraqesin amendamente shtesë dhe do të tërheqin ato amendamente që patën dorëzuar në kohën kur projektligji u dërgua për herë të parë në parlament dhe dështoi miratimi i tij.
Projektligji për vetëqeverisje vendore, i pari në paketën prej 12 ligjesh që duhet të miratohen para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend, është mjaft i rëndësishëm për Maqedoninë sepse bën decentralizimin e pushtetit qendror duke u dhënë më shumë kompetenca komunave. Ndër pjesët më të rëndësishme të tij janë mundësia ligjore për krijimin e administratës së përbashkët të komunave, në këtë rast komunat me shumicë banorësh shqiptarë, do të kenë mundësi të bashkërendojnë administrimin e tyre, po kështu kontrolli i arsimit dhe shëndetsisë në nivel lokal nga komunat. Për ta plotësuar këtë cështje, duhet të miratohen edhe ligji për financimin në nivel lokal dhe ligji për ndarjen territoriale dhe administrative që gjithashtu kanë të bëjnë me komunat.
Qeveria diskuton sot edhe lidhur me ndryshimet në planin për kthimin e policisë në ish-zonat e krizës, për të cilin kryeministri Georgievski pati takime me përfaqësues ndërkombëtarë në Shkup. Burimet ndërkombëtare kanë thënë se postblloqet policore në ish-zonat e krizës, do të hiqen paralel me realizimin e patrullimit 24 orësh të policisë në këto zona.