Persona të paidentifikuar sulmuan një qendër të qeverisë amerikane në Kalkuta të Indisë. Pesë policë u vranë dhe të paktën 20 veta u plagosën nga sulmi i kryer sot kundër Qendrës Amerikane, në kohën që po bëhej zëvendësimi i rojeve. Policia thotë se 4 prej personave që kryen sulmin të mbështjellë me shalle iu afruan qendrës, hapën zjarr dhe u larguan me shpejtësi me motoçikleta. Qendra amerikane e cila përfshin një bibliotekë mjaft të frekuentuar, një qendër kulturore dhe zyrën e marrëdhënieve me publikun të konsullatës amerikane nuk ishte hapur ende kur u krye sulmi. Askush brenda ndërtesës nuk u dëmtua. Autoritetet thonë se përgjegjësinë e kanë marrë dy grupe. Ministri indian i punëve të brendshme tha se një prej grupeve ka lidhje me organet pakistaneze te zbulimit. Një zëdhënës i qeverisë pakistaneze tha në Islamabad se ky pretendim i Indisë është plotësisht i pabazë. Incidenti ndodh ndërkohë që drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve Robert Mueller dhe disa zyrtarë të tjerë po vizitojnë Indinë për bisedime mbi bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.