Lidhje

Raporti 2002 i Human Rights Watch - 2002-01-18


Në raportin e sivjetshëm Human Rights Watch dokumenton gjendjen e të drejtave të njeriut në afro 70 vende në mbarë globin. Në kapitullin për Shqipërinë organizata vë në dukje probleme serioze që lidhen me: * Zhvillimin e Zgjedhjeve * Keqtrajtimet nga policia * Trafikun e qenieve njerëzore Lidhur me problemet e vërejtura gjatë procesit zgjedhor, organizata veçon: * Zhvillimin e zgjedhjeve të tejzgjatura me katër raunde * shtimin e rasteve të keqtrajtimeve nga policia * njëanshmërinë e mjeteve të informimit * incidente të manipulimit të votave përgjithësisht në favor të kandidatëve socialistë. Raporti i Organizatës Human Rights Watch thekson se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë një ndër pengesat kryesore në sundimin e ligjit në Shqipëri. Ndër problemet kryesore veçohen: * niveli i ulët i kualifikimit të juristëve * ndikimi i presionit të jashtëm mbi juristët * mungesa e vëmendjes ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut

Gjatë vitit 2001, thekson organizata Human Rights Watch spikatën shkelje të të drejtave të njeriut nga forcat e rendit, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe veprimtarëve të opozitës. Në raport veçohet rasti i një 11-vjeçari nga Saranda, i cili u ndalua nën akuza që më vonë rezultuan të pa-baza. Ndërkohë që ishte në duart e policisë, fëmijën e rrahën, e çanë me thikë dhe e dogjën me cigare. Ndërkaq, kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Tropojë, Azgan Haklaj, u sulmua brutalisht nga policia speciale në janar të vitit të kaluar pasi u arrestua nën dyshimin se kishte marrë pjesë në një sulm ndaj rajonit të policisë. Ndër problemet e tjera janë shkelja e të drejtave të të burgosurve dhe trafiku njerëzor.

Një tjetër problem serioz mbetet trafiku i grave dhe vajzave. Human Rights Watch vë në dukje se viktimat e këtij trafiku vazhdojnë të trajtohen si kriminele nga autoritetet, duke u bërë objekt ndjekjesh penale më shumë se vetë trafikantët. Zoti Roth theksoi se organizata po i kushton aktualisht vëmendje të veçantë respektimit të lirisë së fjalës në Shqipëri: "Po përgatisim një raport mbi kufizimet ndaj lirisë së shtypit në Shqipëri. Kjo është një çështje shumë serioze për ne dhe shpresojmë që së shpejti të nxjerrim raportin e përfunduar". Drejtoresha e Lidhjeve me Median Carrol Bogert shpreson se dokumentimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut do të shërbejë si një lloj diskreditimi publik për qeveritë e vendeve përkatëse dhe do të rezultojë në përmirësime: "Mendoj se një nga mekanizmat më të mirë që gëzon Human Rights Watch për të sjellë ndryshime është pikërisht kjo që po bëjmë tani -- gazetaria, publikimi i problemit. Kur qeveritë turpërohen publikisht nga media, ata detyrohen të reagojnë. Kjo është një metodë shumë e mirë për të sjellë ndryshime në Shqipëri dhe kudo në botë". Në Kosovë, theksohet në raportin vjetor të organizatës Human Rights Watch, edhe vitin e kaluar u dokumentuan raste dhune dhe keqtrajtimesh ndaj pakicave si serbët, romët e të tjerë. Përveç kësaj çështjeje, zoti Roth përmendi edhe problemin e njëanshmërisë së gjyqësorit, si dhe problemin e sigurisë: "Në Kosovë, përveç çështjes së të drejtave të pakicave, një problem serioz në fushën e të drejtave të njeriut, janë përpjekjet e pamjaftueshme për të vendosur sundimin e ligjit. Kjo çështje kërkon vëmendje të menjëhershme". Viti i kaluar në Maqedoni u karakterizua nga shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar si nga forcat qeveritare ashtu edhe nga luftëtarët e UÇK-së gjatë konfliktit të armatosur, thekson Human Rights Watch. Gjatë kësaj periudhe, thuhet në raport, u vërejtën gjithashtu raste kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj gazetarëve.

Rapoti i sivjetshëm i Organizatës Human Rights Watch përqëndrohet në fushatën kundër terrorizmit dhe ndikimin e saj në gjendjen e të drejtave të njeriut. Mesazhi i organizatës: Fushata kundër terrorizmit nuk duhet të jetë thjeshtë një përpjekje për të kapur bin Ladenin apo për zhdukjen e al-Qaidës, por një përpjekje për të çrrënjosur logjikën e terrorizmit duke ngritur lart parimet e të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG