Zyrtarë ndërkombëtarë dënuan vrasjen e një deputeti shqiptar në Kosovë. Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Charles Brayshaw, thotë se kjo organizatë do të bëjë makismumin që të gjejë vrasësit dhe të përcaktojë arsyet e vrasjes së Smajl Hajdarajt. Persona të armatosur i zunë pritë viktimës të enjten, pranë shtëpisë së tij në qytetin perëndimor të Pejës. Zoti Hajdaraj përfaqësonte partinë e moderuar kosovare, Lidhja Demokratike e Kosovës, në kuvendin e sapozgjedhur të Kosovës. Shefi i zyrës amerikane në Kosovë, John Menzies, vlerësoi zotin Hajdaraj për besnikërinë e tij ndaj Kosovës dhe përkushtimin e tij ndaj demokracisë. Zoti Menzies tha se nuk është përcaktuar ende nëse vrasja ishte nje veprim terrorist i ndërmarrë për të arritur qëllime politike. Pavarësisht nga kjo, zoti Menzies tha se ka ardhur koha që të gjitha partitë dhe grupet politike në Kosovë të bëjnë një qëndresë të fortë, sipas fjalëve të tij ndaj ”kërcënimit, dhunës dhe terrorit politik”. Edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, e dënoi vrasjen. Ai akuzoi për vrasjen njerëzit që janë kundër zhvillimit të institucioneve në Kosovë.