Lidhje

Forcat izraelite vazhdojnë sulmet - 2002-01-11


Zyrtarë palestinezë thonë se buldozerë izraelitë kanë shkatërruar pistat e aeroportit të Autoritetit Palestinez në Rafah të Rripit të Gazës. Buldezerë dhe tanke izraelite vërshuan në aeroport sot në atë që duket të jetë përgjigjja më e fundit ndaj sulmit vdekjeprurës të ditës së merkurë nga ekstremistë palestinezë të grupit Hamas që shkaktoi vdekjen e katër ushtarëve izraelitë.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë prova që lidhin drejtpësëdrejti udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, me një anije të ngarkuar me armë që u ndalua nga Izraeli javën e kaluar. Mirëpo, zoti Powell thotë se ka informacion që lidh ngarkesën e armëve me Autoritetin Palestinez. Megjithatë, administrata e presidentit Bush thotë se ka në plan të mbetet e angazhuar në përpjekjet për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, David Gollust, njofton se zyrtarë në selinë e Departamentit të Shtetit thonë se ka prova bindëse që figura të larta të Autoritetit Palestinez, nëse jo vetë zoti Arafat, ishin të ndërlikuar në një skemë kontrabande së bashku me Iranin dhe grupin gueril libanez Hezbollah.

Mirëpo, gjatë një bisede me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se kjo nuk nënkupton fundin e përpjekjeve amerikane për arritjen e një armëpushimi izraelito palestinez dhe përtritjen e bisedimeve të paqes.

Ne, tha presidenti Bush, nuk do të tërhiqemi nga përpjekjet e paqes në Lindjen e Mesme. Ne do të vavzhdojmë të marrin pjesë në procesin e atjeshëm të paqes. Këto përpjekje, theksoi presidenti Bush, fillojnë duke e bërë rajonin më të sigurt. Zoti Arafat duhet të dënojë terrorin dhe duhet të kundërshtojë personat në rajon që kërkojnë ta bllokojnë procesin e paqes nëpërmjet akteve terroriste.

Zyrtarë të administratës amerikane thonë se ka shenja që zoti Arafat ishte i ndërlikuar, megjithëse ai ka mohuar në mënyrë të përsëritur se kishte dijeni lidhur me përpjekjet për të importuar më shumë se 50 tonë pajisje ushtarake iraniane, përfshirë raketa Katjusha dhe lëndë plasëse.

XS
SM
MD
LG