Lidhje

Frika e një konflikti tjetër në Maqedoni - 2002-01-09


Nga burime brenda takimit të Këshillit Kombëtar maqedonas të Sigurimit, mësohet për përçarje ndërmjet anëtarëve të tij lidhur me çështjen e tërheqjes së postblloqeve policore nga disa prej zonave veriore dhe veriperëndimore. Autoritetet shtetërore, përkatësisht drejtues të lartë shtetërorë të tubuar në këtë Këshill kanë vënë në dukje se situata është stabile por,sipas burimeve maqedonase, ka mundësi që në pranverë të organizohen provokime të armatosura.

Gjithnjë sipas burimeve brenda këtij Këshilli, Ministri i Brendëshëm Lube Boshkovski dhe gjeneralët e ushtrisë e të policisë, thuhet të jenë shprehur për masa më të rrepta eventuale nëse shpërthen një konflikt i ri i armatosur.

Ndërkohë që autoritetet shtetërore druajnë se konflikti mund të nxitet nga grupe, sipas tyre, ekstremiste e terroriste shqiptare, shqiptarët ose elita politike e tyre, nga ana tjetër, kanë përshtypjen se është pala maqedonase ajo e cila nuk e lë situatën të qetësohet, armatoset dhe përgatitet për luftë.

Në këtë kuadër, përmendet një deklaratë e kryeministrit maqedonas Lubço Georgievski të ketë shprehur mospajtim me vlerësimet e disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, që flasin për qëndrueshmërinë e situatës në Maqedoni. "Kjo është vetëm një përrallë e mirë", citohet të ketë thënë zoti Georgievski duke shtuar, "se hyrja e forcave të kombinuara policore në fshatrat e Maqedonisë po kontrollohet nga ish-Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe kjo zhvillohet në shkallën që strukturat shqiptare duan ta lejojnë një gjë të tillë".

Këshilli i Sigurimit një organ ky që e formoi ish-presidenti Kiro Gligorov, pati një shqiptar për anëtar deri nga mesi i konfliktit të armatosur në verë të vitit të kaluar.

Në një zhvillim tjetër, sot dhjetra policëve maqedonas të njesiteve speciale "tigrat, luanët" dhe të tjerëve u janë dhënë medaljone fetare nga arkipeshkvi i Kishës orthodokse maqedonase. Medaljonet që në njërën anë kanë shenjtorë krishterë orthodoks dhe në tjetrën lutje fetare, iu ndanë policëve në shenjë mirënjohjeje për rolin e tyre në luftë. Me këtë rast MPB inauguroi tetë gjeneralë maqedonas të policisë.

Ndërkohë, zyrtarët shtetërorë në Shkup kanë tërhequr sot katër postblloqe policore në fshatrat Ratajë dhe Vratnicë të Tetovës, në Lubeten të Shkupit dhe në Llopat të Kumanovës. Largimi i postblloqeve u bë pas një presioni të organizatave ndërkombëtare (NATO, BE, OSBE) me kërkesën e komunitetit shqiptar dhe partive të tyre politike.

XS
SM
MD
LG