Lidhje

Meta kërkon votbesim për postin e tij - 2002-01-09


Kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, tha sot se është i gatshëm të provojë një votbesim për postin e tij nga baza e PS në kuadrin e një referendumi brendapartiak që është njoftuar se do të mbahet së shpejti.

Zoti Meta deklaroi para gazetarëve se e kishte marrë këtë vendim pasi një pjesë e deputetëve socialistë dhe e Komitetit të Përgjithshëm drejtues kanë shfaqur kundërshtime serioze dhe e kanë akuzuar për trafik votash në mbledhjen ku ai u zgjodh kryeministër.

"Dëshiroj të theksoj se në bazë të vendimit që do të marrin forumet e partisë socialiste lidhur me këtë çështje, unë do të kërkoj që votëbesimi im si kryeministër të përfshihet në një nga pikat e referendumit. Ky nuk është një problem personal. Kjo është një çështje parimore dhe politike"- tha Meta.

Kryeministri tha se do të insistonte që anëtarësia e partisë të shprehet për votbesimin e tij. Ky deklarim i zotit Meta erdhi një ditë pasi mbështetësit e kryetarit socialist Fatos Nano diskutuan për mëse katër orë pikat që do të përfshiheshin në referendum. Kryesia e partisë socialiste do të mbajë nesër një mbledhje të posatshme për këtë çështje.

Ndërkaq PD e opozitës mblodhi sot grupin e deputetëve, për të parën herë në një analizë të situatës më të fundit politike.

Kryetari i kësaj partie Sali Berisha i bëri thirrje thirrje grupit të deputetëve për të marrë një rol më aktiv në zhvillimet politike të vendit. "Duhet që t;i japim tonit jetës politike shqiptare. Kam shumë besim se grupi parlamentar do ta përmbushë misionin. Qytetarët shqiptarë presin nga ju zyra, presin problemet, presin sqarimet. Veprimtari e jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare e juaja për të zgjidhur problemet e zgjedhësve" tha Berisha.

Berisha i kërkoi presidentit Meidani të japë dorëheqjen nga posti, në rast të pafuqisë së tij për të zgjidhur krizën institucionale. Ai theksoi në fjalën para deputetëve se konfliktin mes Nanos dhe Metës, PD po e ndjek pa preferenca dhe anshmëri ndaj ndonjërës palë.

Gjykata Kushtetuese pranoi sot kërkesën e presidentit Meidani për të interpretuar sipas Kushtetutës refuzimin në parlament të dekreteve presidenciale për ministrat e rinj.

Gjykata nuk ka përcaktuar afate kohore për shpalljen e vendimit.

XS
SM
MD
LG