Më 7 janar 1986, presidenti Ronald Reagan njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosnin sanksione të plota ekonomike kundër Libisë. Presidenti Reagan tha se ky hap ishte përgjigje ndaj mbështetjes së vazhdueshme nga ana e Libisë për terrorizmin ndërkombëtar. Ai tha se kërcënimi i vazhdueshëm i sulmeve terroriste përbënte kërcënim edhe për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. “Me autoritetin që me jep Kushtetuta dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara, kam marrë masa për t’i dhënë fund të gjitha veprimtarive të drejtpërdrejta ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Libisë. Këto masa, disa prej të cilave hyjnë në fuqi menjëherë dhe të tjerat jo më vonë se data 1 shkurt, vendosin një ndërprerje totale të importeve dhe eksporteve me Libinë, me përjashtim të atyre për qëllime humanitare, deklaroi Presidenti Reagan.”
Më 7 janar 1955, në qytetin e New Yorkut, këngëtarja Marian Anderson debutoi në Operan Metropolitane me famë botërore, duke u bërë kështu zezakja e parë që këndonte në skenën e këtij teatri gjatë historisë së tij 71-vjeçare. Anderson e cila ka lindur në Philadelphia të Pensilvanisë, këndoi në rolin e Ulrikës në operën e Verdit ”Un ballo de maschera’, ”Një ballo me maska”. Anderson fitoi respekt si këngëtare klasike në vitet 20 dhe në dhjetëvjeçarin që pasoi, ajo zhvilloi turne në pjesën më të madhe të Evropës. Por gjatë pjesës më të madhe të karrierës asaj iu desh të ndeshej me fanatizëm dhe paragjykime racore. Në vitin 1939, shoqata Bijat e Revolucionit Amerikan nuk e la Marian Andersonin të këndonte në sallën e kësaj organizate, Constitution Hall, në Washington, thjesht për shkak të ngjyrës së saj. Më pas ajo u ftua nga Zonja e Parë e Amerikës, Eleanor Roosevelt për të kënduar përpara një publiku prej 75 mijë spektatorësh pranë Memorialit të Linkolnit. Zonja Roosevelt dha dorëheqjen si anëtare e shoqatës Bijat e Revolucionit Amerikan në shenjë përkrahjeje për këngëtaren Marian Anderson.