Në Tetovë gjatë dy tre javëve të fundit ka mbretëruar një gjendje e vështirë për sa i përket rrugëve dhe hapësirave të tjera publike. Dëbora e madhe, vende vende më shumë se një metër trashësi ka penguar trafikun dhe vijimin e jetës normale në përgjithësi. Komuna e Tetovës iu drejtua organeve më të larta shtetërore për ndihmë, por nuk mori përgjigje. Drejtuesit e komunës kërkuan shpalljen e një gjendjeje të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Tetovës, Murtezan Ismaili thotë se tash faza kritike ka kaluar dhe janë hapur rrugët e rrugicat për depërtim dhe trafik.
Zoti Ismaili thotë se edhe komunikimi i përgjithshëm ishte bllokuar për shkak të rrugëve dhe dëborës dhe dyshon se për këtë letrat e kërkesat për ndihmë të mos kishin mund ti arrinin qeverisë dhe organeve tjera gjegjëse.
Qeveria nuk është përgjigjur në kritikat e drejtuesve të komunës së Tetovës. Por, në komentet e përditshme të lëshuara nga komisioni për menaxhimin e krizës është thënë se e tërë Maqedonia ishte përfshirë nga moti i keq dhe të rreshurat e mëdha të dëborës dhe se qeveria ishte në pamundësi që të ndihmonte çdo komunë veç e veç.
Përveç problemeve me dëborën Tetova është në qendër të vëmendjes së mediumeve lidhur me situatën e sigurisë atje.
Mbrëmë, siç shpjegon kryetari i komunës, z.Ismaili, ka pasur breshëri të shtënash nga, pothuaj, çdo shtëpi maqedonase, sipas tij. Kryetari Ismaili tha se priste se si do të raportonin sot mediumet maqedonase për të shtënat e mbrëmshme në qytet. Mirepo, MPB nuk ka bërë komënte për këtë.
Në të vërtetë të shtëna të shumta në ajër me armë zjarri, pushkë automatike e mitraloza kishte edhe në Shkup natën e festës së Krishtlindjeve orthodokse sllave.
Sot komuniteti orthodoks feston Krishtlindjet dhe në Maqedoni është pushim ose festë shtetërore; nuk punojnë shkollat,ndërmarrjet publike as institucionet e tjera.