Një oficer zbulimi në qeverinë e re të përkohshme të Afganistanit thotë se një anëtar i lartë i regjimit të përmbysur taleban është vrarë nga një sulm ajror i forcave amerikane.
Zëvëndës-shefi i zbulimit afgan Abdullah Tawheedi i tha rrjetit televiziv CNN se Qari Ahmadullah, shefi i zbulimit taleban, u vra në Afganistanin lindor në dy ose 3 ditët e fundit. Ai tha se kjo zonë kishte qënë një bazë e fortë talebane dhe e rrjetit Al-Kaida. Zëvëndës-shefi i zbulimit afgan tha se oficeri i arratisur taleban kishte qënë në shtëpinë e komandantit taleban Mullah Taha kur shtëpia u godit nga sulmet amerikane. Ai shtoi se disa persona të tjerë u vranë nga sulmet dhe trupi i oficerit të arratisur taleban ishte varrosur në provincën Gazni, por Mullah Taha shpëtoi dhe kërkimet për të vazhdojnë.
Në zhvillime të tjera, një ekip oficerësh nga vendet, që do të dërgojnë trupa paqëruajtëse për Afganistanin, mbërriti në Kabul për tu përgatitur për forcën ndërkombëtare me mandat të Kombeve të Bashkuara. Ekipi në fjalë prej të paktën 20 oficerësh nga mbi 10 vende do të shqyrtojë kushtet për forcën paqëruajtëse prej 4 mijë e 500 trupash, e cila fillimisht do të funksionojë nën komandën e një oficeri të lartë britanik.