Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se forcat amerikane dhe ato fisnore afgane kanë bërë përparim të madh kundër luftëtarëve të al-Kaidës në rajonin Tora Bora të Afganistanit.
Zoti Rumsfeld tha sot në mëngjes, gjatë një bisede me gazetarë në Shannon të Irlandës, se gjatë tetë orëve të fundit, trupat kanë avancuar dy kilometra në terrenin malor. Ai tha se rreth 50 luftëtarë të al-Kaidës janë dorëzuar.
Aeroplani i zotit Rumsfeld bëri një ndalesë në Irlandë për furinzim me karburant gjatë udhëtimit për në Azinë qendrore, ku ai do të zhvillojë bisedime me udhëheqës të Azerbajxhanit, Armenisë dhe të Gjeorgjisë.
Sekretari Rumsfeld tha se pjesa më e madhe e luftimeve po bëhet nga trupat afgane, ndërkohë që forcat speciale amerikane po drejtojnë sulmet ajrore. Ai tha se avionët amerikanë hodhën rreth 240 bomba ditën e enjte dhe rreth 180 të tjera gjatë ditës së djeshme.
Zyrtarë amerikanë dhe udhëheqës fisnorë afganë mendojnë se Osama bin Ladeni mund të ndodhet në një zonë në jug të Xjelalabadit, në afërsi të kufirit me Pakistanin. Një komandant anti-taleban tha dje se forcat e tij kanë rrethuar afro 200 luftëtarë të al-Kaidës në një shpellë ku mund të jetë i fshehur Osama bin Ladeni.
Zoti Rumsfeld tha se në qoftë që bin Ladeni kapet, forcat amerikane do ta transferojnë atë në një vend të sigurt dhe do të fillojnë ta merrnin në pyetje.
Agjencia e lajmeve Associated Press thotë se dy amerikanë u plagosën leht dje kur sulmuan një pozicion mitralozësh të al-Kaidës. Mirëpo, gjenerali Tammy Franks, komandanti i operacioneve ushtarake në Afganistan, u tha gazetarëve se nuk ka dijeni për ushtarë amerikanë të plagosur.
Gjenerali Franks tha se mendohet që Osama bin Ladeni është bllokuar diku në dy luginat paralele, Vezir dhe Agam, përgjatë kufirit me Pakistanin. Ai tha se luftëtarë të al-Kaidës janë bllokuar nga forcat afgane në një anë dhe forcat pakistaneze nga ana tjetër.