Një punonjëse 61 vjeçare e një spitali të New Yorkut është në gjendje të rëndë shëndetsore dhe dyshohet të jetë prekur nga antraksi në rrugët e frymëmarrjes. Kryetari i bashkisë së New Yorkut, Rudolph Giuliani e bëri këtë njoftim në një konferencë shtypi dje vonë. Ai tha se gruaja ishte shtruar në spital të dielën dhe është në gjendje të rëndë. Zoti Giuliani tha se analizat paraprake tregojnë se ajo është prekur nga antraksi në rrugët e frymëmarrjes, por shtoi se rezultati i analizave nuk është konfirmuar ende.
Njoftimi për rastin e fundit të prekjes nga antraksi pasoi njoftimet se gjurmë të antraksit janë gjetur në zyrat e përpunimit të postës së disa ndërtesave të tjera qeveritare në Uashington duke përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Departamentin e Shtetit. Analizat e para flasin gjithashtu për ndotje me antraks në dhomat e postës të ndërtesës Cohen po në Uashington, ku ndodhet edhe Zëri i Amerikës. Që nga fillimi i sulmeve bioterroriste me postë disa javë më parë, kanë gjetur vdekjen tre persona, dy prej të cilëve punonjës poste në zonën e Uashingtonit. Ata kanë vdekur nga forma më e rrezikshme e antraksit, ajo që prek rrugët e frymëmarrjes.