Lidhje

Konfirmohet ekzekutimi i komandantit afgan - 2001-10-26


Familja e komandantit të opozitës, Abdul Hak konfirmoi se ai ishte kapur dhe ekzekutuar nga regjimi taleban.

Agjencia zyrtare taleban e lajmeve tha dje se komandanti Hak, hero i qendresës kundër pushtimit sovjetik në vitet ’80, ishte arrestuar dhe varur nën akuzat se kishte spiunuar për Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Së bashku me zotin Hak, u ekzekutua edhe një numër bashkëpunëtorësh të tij të paidentifikuar.

Zoti Hak kishte hyrë në Afganistan javën e kaluar për të bindur krerët fisnorë afganë që të mbështesnin një qeveri në drejtimin e mbretit Muhamed Zaher Shah, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për Afganistanin pas përmbysjes së regjimit taleban.

Mendohet se ai kishte bërë përpjekje edhe për të bindur luftëtarët talebanë që të kalonin në anën e opozitës.

Departamenti amerikan i Shtetit mohon se zoti Hak po punonte për Shtetet e Bashkuara, megjithë pretendimet talebane se ai kishte me vete një sasi të madhe dollarësh amerikanë dhe një numër të pacaktuar dokumentash.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, e cilësoi vdekjen e zotit Hak një humbje për ata që mbështesin krijimin e një qeverie me bazë të gjerë në Afganistan.

Edhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes hedh poshtë lajmet nga Pakistani se helikopterët amerikanë vranë një ushtar taleban gjatë përpjekjeve të dështuara për të shpëtuar zotin Hak.

XS
SM
MD
LG