Forcat amerikane filluan një javë të tretë goditjesh ajrore në Afganistan, duke ndërmarrë bombardime në kryeqytetin Kabul dhe në qytetin jugor Kandahar.
Talebanët thanë se nga sulmet përreth Kabulit gjetën vdekjen 18 civilë dhe u plagosën 22 të tjerë.
Këto pohime nuk mund të konfirmoheshin nga burime të pavarura, por një gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press njofton se pas sulmit kishte parë trupat e tre grave dhe katër fëmijëve në një spital të Kabulit. Ky mund të jetë numri më i madh i viktimave midis civilëve i konfirmuar deri tani nga burime të pavarura që nga fillimi i bombardimeve më 7 tetor.
Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë bërë komente rreth këtyre njoftimeve. Në të kaluarën ata kanë hedhur poshtë pohimet e Talebanit të cilët flasin për viktima të shumta midis civilëve. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sulmet planifikohen me kujdes për të shmangur civilët dhe drejtohen kundër instalimeve talebane dhe ato të organizatës al-Qaida të terroristit Osama bin Laden.
Agjencia Shtypi Islamik Afgan njofton se aeroplanët amerikanë bombarduan gjithashtu vijat e frontit Taleban në provincën Samangan në veri të vendit.
Zyrtarët Talebanë thonë se dy komandantë të opozitës dhe tre ushtarë u ekzekutuan publikisht në qytetin verior Mazar-I-Sharif, të akuzuar si agjentë të Shteteve të Bashkuara. Ditët e fundit, në këtë zonë janë zhvilluar luftime të ashpra midis forcave të opozitës dhe Talebanit.
Ndërkohë, po sipas Shtypit Islamik Afgan, udhëheqja talebane ka vendosur të shpërndajë armë të tjera në radhët e forcave të saj për tu mbrojtur nga sulmet e komandove amerikane. Fjala është për operacionin që trupat speciale amewrikane ndërmorën të shtunën në mëngjes në Afganistanin jugor.