Lidhje

Pentagoni komenton - 2001-10-20


Një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se trupat amerikane nuk ndeshën ndonjë rezistencë të madhe të forcave talebane gjatë dy operacioneve të shpejta tokësore që ndërmorën kundër objektivave ushtarake në Afganistanin jugor.

Shefi i shtatmadhorisë së forcave të armatosura amerikane, gjenerali Richard Myers, u tha sot gazetarëve në Pentagon se trupat speciale ndeshën vetëm një rezistencë të vogël gjatë sulmeve të kryera mbrëmë natën kundër një aerodromi dhe një komande ushtarake talebane në afërsi të Kandaharit. Ai tha se gjatë operacionit nuk nuk u gjet ndonjë udhëheqës i Talebanit apo i rrjetit terrorist Al-Qaida të Osama bin Ladenit.

Gjenerali Myers tha se në këtë operacion midis forcave taleban pati një numër viktimash. Ai tha gjithashtu se asnjë ushtar amerikan nuk u vra ose u plagos gjatë sulmit, por shtoi se dy ushtarë pësuan dëmtime të lehta gjatë parashutimit.

Zyrtari i lartë i Pentagonit konfirmoi gjithashtu se dy ushtarë u vranë dhe tre u plagosën për shkak të rrëzimit të një helikopteri Blackhawk në provincën Beluchistan të Pakistanit afër kufirit afgan. Gjenerali hodhi poshtë pretendimet e Talibanit se helikopteri ishte rrëzuar për shkak të zjarrit nga toka. Ai tha se ky incident po trajtohet si aksident.

Të premten, tha gjenerali, aeroplanët amerikanë kryen 15 goditje kundër objektivave në Afganistan, ndërsa avionët e transportit hodhën 4 ngarkesa me ndihma ushqimore në territorin e kontrolluarf nga milicia anti-taleban në perëndim të vendit.

Ndërkohë, artileria talebane hapi sot zjarr kundër helikopterëve që fluturonin mbi kryeqytetin afgan Kabul.

XS
SM
MD
LG