Organizata terroriste Al-Kaida e Osama Bin Ladenit mban përgjegjësi për vrasjen e mijëra civilëve të paarmatosur në Shtetet e Bashkuara dhe Afrikë. Bin Ladeni e quan këtë masakër “luftë të shenjtë” dhe pretendon se vepron sipas mësimeve të fesë islamike. Por këto mësime e bëjnë më se të qartë se, sulmet terroriste, si ato ndaj Qendrës Botërore të Tregëtisë dhe Pentagonit, nuk janë aspak të shenjta. Ato janë sulme mëkatare, ndër më të këqiat në llojin e vet dhe aq më tepër janë të tilla, kur kryhen në emër të fesë islamike.
Ushtarët myslimanë, sipas ligjit islamik nuk duhet të kryejnë sulme ndaj civilëve të pambrojtur. Po ashtu, kjo fe ndalon rreptësisht sulmet vetëvrasëse. Sipas këtij ligji, luftëtarët myslimanë mund të luftojnë deri në vdekje, por atyre u ndalohet të vrasin veten, apo civilët e pambrojtur.
Kufizimet e vendosura nga feja islamike ndaj besimtarëve të saj në kushtet e luftës, janë të ngjashme me traditën perëndimore të luftës së kufizuar. Kjo traditë bën dallim të qartë midis ushtarëve dhe terroristëve, banditëve, apo grupeve të tjera të armatosura. Ushtarët veprojnë në përputhje me urdhërat e organeve ligjore. Por në fakt, terroristët kryejnë sulme që bien në kundërshtim të plotë me shtetin ligjor. Siç thuhet në Konventën e Dytë të Gjenevës, ushtarëve u kërkohet “të veprojnë në përputhje me ligjet dhe rregullat e luftës.” Kjo do të thotë, midis të tjerash, mbrojtje e civilëve, trajtim i robërve të luftës në mënyrë njerëzore dhe që sulmet të drejtohen vetëm ndaj objektivave ushtarake.
Terroristët nuk u përmbahen asnjë prej këtyre parimeve. Ata vishen si civilë, kryejnë sulme ndaj civilëve dhe fshihen në radhët e popullsisë civile pas çdo sulmi. Sulmet e tyre janë të planifikuara në mënyrë të tillë, që të shkatojnë sa më tepër dëme në radhët e civilëve, si dhe dëmtim të pasurisë së tyre. Terroristët shpesh i trajtojnë keq dhe i vrasin të burgosurit e tyre, të cilët zakonisht janë civilë të paarmatosur. Në shumicën e rasteve, terroristët përpiqen të shmangin pjesëmarrjen e tyre në përpjekje me forcat ushtarake dhe ato policore.
Asgjë nuk e pasqyron në mënyrë më dramatike natyrën e vërtetë të terrorizmit, sa sulmet terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara. Terroristët e Organizatës Al-Kaida të Osama Bin Ladenit morën nën kontroll avionë civilë dhe qëllimisht i drejtuan ata nga dy ndërtesat binjake të New Yorkut, ku punonin mijëra civilë. Më tepër se 6 mijë njerëz, burra, gra, dhe fëmijë u vranë në këto sulme. Këto janë veprime kriminale, për të cilat vendet e qytetruara kërkojnë ndëshikimin më të ashpër. Dhe sipas mësimeve të fesë islamike, këto sulme përbëjnë mëkat dhe patjetër Zoti do t’i ndeshkojë përgjegjesit.