Në Shtetet e Bashkuara u njoftua për një rast të katërt të antraksit, këtë radhë në qytetin e Nju Jorkut.
Nënpresidenti Dick Cheney, tha se rastet e antraksit mund të kenë lidhje me terroristin Osama bin Laden. Dje gjatë një interviste televizive, zoti Cheney tha se Uashingtoni ka prova që tregojnë se rrjeti al-Qaida i Osama bin Ladenit, është i stërvitur në përdorimin e armëve biologjike.
Kurse Sekretari amerikan i Drejtësisë, John Ashcroft, thotë se shenjat e deritanishme nuk të bëjnë të mendosh se mund të ketë ndonjë lidhje. Dy zyrtarët e lartë i bënë komentet e tyre një ditë pasi FBI-ja lëshoi një paralajmërim se së shpejti mund të ketë sulme të tjera terroriste të drejtuara kundër amerikanëve.
Rrjeti televiziv NBC njoftoi dje se analizat e një punonjëseje të tij në zyrat e qytetit të Nju Jorkut, dolën pozitive për antraksin e lëkurës dhe se mjekimi po ecte mirë.
Më parë tre persona, në një kompani botimesh në Florida, u gjetën të infektuar me këtë sëmundje. Njëri prej tyre vdiq javën e kaluar.