Lufta kundër terrorizmit as nuk do të përfundojë shpejt dhe as do të jetë e lehtë; por, siç tha presidenti Bush, ”ushtria amerikane është e gatshme”. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë dislokuar rreth 30 mijë forca ushtarake, disa aeroplanëmbajtëse dhe disa qindra avionë luftarakë. Midis 50 mijë trupave rezerviste që janë njoftuar për të shërbyer, rreth 20 mijë prej tyre janë thirrur nën armë.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë përparim edhe në frontin diplomatik. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë të deryrueshme për të gjithë anëtarët, e cila u kerkon vendeve anëtare të mos financojnë, apo strehojnë terroristët. Shtetet e Bashkuara kanë marrë shumë deklarata në shenjë përkrahjeje, midis të cilave nga NATO-ja, Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore, Organizata e Konferencës Islamike dhe Organizata e Shteteve Amerikane.
Një aspekt tjetër jetik i kësaj lufte është t’u ndërpritet financimi terroristëve, sidomos Organizatës terroriste Al-Kaida të Osama Bin Ladenit. Presidenti Bush ka lëshuar një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurisë së grupeve terroriste, udhëheqësve terroristë, si dhe shoqatave bamirëse apo kompanive që në fakt nuk merren me bamirësi ose biznes të ndershëm por shërbejnë si mburoja të terrorizmit. Sipas njoftimeve të shtypit, në banka të ndryshme të botës janë bllokuar pasuritë që dyshohen se u përkasin terroristëve, me një vlerë monetare prej më tepër se njëqind milionë dollarësh dhe siç tha presidenti Bush, këto masa ”sapo kanë filluar”.
Edhe agjensitë e rendit kanë qenë tepër të zëna me punë kohët e fundit. Në Shtetet e Bashkuara janë arrestuar, apo ndaluar më tepër se 400 persona, ndërkohë që janë arrestuar edhe 150 të tjerë në rreth 25 vende të tjera. Midis personave të arrestuar janë edhe Zayd Hassan Sfarini i organizatës terroriste Abu Nidal. Ai ishte përfshirë në përpjekjet për të rrëmbyer avionin e linjës ajrore Pan-American në vitin 1986, në Karachi të Pakistanit. Gjatë atij sulmi terrorist vdiqën 22 persona, midis të cilëve dhe dy amerikanë. Kohët e fundit, Safarini doli nga një burg i Pakistanit, ku qëndroi për 14 vjet. Tani ai është arrestuar nga Shtetet e Bashkuara, nën akuzat për vrasje dhe përpjekje për vrasje.
Siç tha presidenti Bush, ”Nganjëherë ne do të kemi sukses të menjëhershëm, nganjëherë duhet të tregohemi të durueshëm... Por mësimi që nxjerrim nga ky rast dhe çdo rast tjetër i ngjashëm, është se Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojmë së marri masa, për t’u vetëmbrojtur, për të mbrojtur qytetarët tanë, si dhe popujt liridashës anembanë botës.