Presidenti francez Jacques Chirac dhe kryeministri britanik Tony Blair ritheksuan mbështetjen e tyre për përgjigje efikase dhe të përshtatshme, siç u shprehën ata, ndaj sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Pas bisedimeve në Pallatin Elysse sot në Paris, presidenti francez Shirak u tha gazetarëve se deri tani nuk është arritur ndonjë vendim për kundërpërgjigjen që do të ndërmerret. Por ai theksoi se si Franca, ashtu edhe Britania do të angazhoheshin.
Edhe zoti Blair ritheksoi angazhimin e vendit të tij për t’iu kundërvënë terrorizmit. Zoti Blair, niset sot për në Washington për t’u takuar me presidentin Bush. Dje ai u takua me kancelarin gjerman Gerhard Shroeder në Berlin, i cili theksoi përkrahjen e tij të patundur për Washingtonin në përpjekjet për një luftë globale kundër terrorizmit.
Në Bruksel, aleatët e Natos shprehën edhe një herë gatishmërinë e tyre për t’u ardhur në ndihmë Shteteve të Bashkuara për të zhdukur terrorizmin. Në një konferencë të shkurtër për shtyp me zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit Richard Armitage, Sekretari i Përgjithshëm i Natos George Robertson theksoi përkrahjen e aleatëve për veprimet e Shteteve të Bashkuara. Por zoti Robertson nuk dha hollësi mbi përkrahjen ushtarake ose të ndonjë karakteri tjetër për Washingtonin.