Udhëheqësit e Kongresit amerikan dënuan sulmet e djeshme terroriste dhe i dhanë presidentit Bush një mbështetje pa dallime partiake. Siç njofton korrespondenti ynë David Swan, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati do të rifillojnë seancat e tyre nesër.
Ashtu si pjesa tjetër e Uashingtonit zyrtar, edhe Kongresi i pezulloi dje aktivitetet. Udhëheqësit e tij u dërguan me nxitim në objekte të sigurta. Vetëm pas disa orësh, megjithëse rrugët përrreth ishin të mbyllura, një grup anëtarësh të Kongresit, me pamje të zymtë, dolën në shkallët e Kapitolit në përpjekje për të shfaqur unitetin, forcën dhe mbështetjen për presidentin.
Udhëheqësi i shumicës demokrate të Senatit, Tom Daschle, demokrati me postin më të lartë në senat, deklaroi se puna në Kongres nuk do të ndërpritet.
Këto akte të neveritëshme ishin një sulm kundër popullit dhe lirisë sonë. Si përfaqësues të popullit, tha ai, ne jemi mbledhur këtu për të shpallur se vendosmëria jonë nuk është dobësuar nga këto akte të turpshme. Kongresi, tha ai, do të vazhdojë punën nesër.
Zoti Daschle tha se republikanët dhe demokratët do të flasin me një zë të vetëm për të ndihmuar viktimat e sulmeve dhe për të ndëshkuar personat përgjegjës. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Dennis Hastert, theksoi se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen, megjithëse ende nuk dihet se kush është autori i sulmeve.
Por ne kemi dyshimet tona. Dhe kur këto dyshime të përligjen, ne do të veprojmë. Ne do t’i qendrojmë përkrah Presidentit, do t’i qendrojmë përkrah qeverisë dhe do të qendrojmë të bashkuar si amerikanë për të kapërcyer këtë që ndodhi, tha republikani Hastert.
Dhoma dhe senati do të merren gjithashtu me hetimin e sulmeve, hetime që mund të kryehen me anë të disa komisioneve. Qysh tani, disa ligjvënës po shprehin kritika, duke e quajtur atë që ndodhi një dështim të madh në fushën e zbulimit. Mirëpo, tani për tani, udhëheqësit e Kongresit do të përpiqen të qetësojnë vendin, i cili është tronditur nga sulmet e djeshme dhe, ashtu si amerikanët e tjerë, do të përpiqen të jetojnë në një botë tashmë të ndryshuar.