Lidhje

Maqedoni: parlamenti rifillon punimet - 2001-09-05


Ligjvënësit e Maqedonisë po zhvillojnë për të katërtën ditë debate për planin që synon t’i jepet fund dhunës etnike në këtë vend ballkanik. Deputetët pritet të votojnë nëse do të fillojnë procedurat për ndryshimet kushtetuese të cilat synojnë tu japin shqiptarëve të drejta më të mëdha. Mbrëmë debatet në parlament vazhduan deri vonë. Shumë deputetë shprehën dyshime për planin e paqes duke thënë se ai do t’i bënte më agresivë luftëtarët shqiptarë. Zyrtarët e NATO-s thonë se, nëse parlamenti voton pro, aleanca do të fillojë fazën e dytë të operacionit të saj për mbledhjen e armëve të luftëtarëve shqiptarë. Javën e kaluar, gjatë fazës së parë të operacionit, trupat e Natos mblodhën 1 mijë e 400 armë. Bashkimi Evropian dhe ndërmjetësit e Shteteve të Bashkuara në Maqedoni shkuan sot në Moskë për të diskutuar mbi gjendjen me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Igor Ivanov. Njoftohet se situata në Maqedoni sot ka qënë përgjithësisht e qetë me përjashtim të disa incidenteve sporadike. Forcat e NATO-s ndërhynë dje për të ndihmuar një anëtar shqiptar të policisë, kur anëtarët maqedonas të grupeve paramilitare hapën zjarr kundër makinës së tij në autostradën kryesore që lidh Shkupin me Tetovën. Ndërkaq, një grup i të drejtave të njeriut ka akuzuar forcat e qeverisë maqedonase për vrasjen e civilëve dhe djegijen shtëpive gjatë një ofensive të muajit gusht që la të vrarë 10 vetë. Në raportin e publikuar sot, Human Rights Watch akuzon Maqedoninë se trupat e ushtrisë vranë 10 civilë dhe dogjën të paktën 22 shtëpi gjatë një operacioni bastisjeje në fshatin shqiptar Ljuboten më 12 gusht. Organizata me bazë në New York thotë se nga hetimet rezultoi se në kohën e ofensivës në fshat nuk kishte grupe të armatosura shqiptare.

XS
SM
MD
LG