Ministri serb i Drejtësisë, Vlladan Batic, tha se do të kërkojë që Gjykata e Hagës të ngrejë padi kundër disa udhëheqësve shqiptarë të Kosovës.
Zoti Batiç, një nga reformistët kryesorë në Serbi, tha se do të kërkojë që të ngrihen akuza kundër disa ish udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se do ta ngrejë këtë çështje këtë javë në Beograd në bisedimet me kryeprokuroren e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte.
Zoti Batic tha se do t’i kërkojë gjithashtu zonjës Del Ponte që të bëjë publike akt-paditë ende të pashpallura dhe të lejojë që shtetasit jugosllavë të akuzuar nga Gjykata e Hagës të gjykohen në vendin e tyre.
Zonja Del Ponte, e cila arriti në Beograd mbrëmë, pritet të kërkojë ekstradimin e personave të tjerë të dyshuar për krime lufte, përfshirë presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviç.
Të paktën 3 mijë veta organizuan dje një miting në qendër të Beogradit për të protestuar kundër vizitës së saj.