Në Maqedoni, partitë politike të shqiptarëve thonë se shtyrja e debatit mbi planin e paqes mund të çojë në destabilizimin e mëtejshëm të vendit.
Udhëheqësit e dy partive e dënuan sot vendimin e parlamentit maqedonas për të shtyrë ditën e dytë të diskutimeve në parlament mbi planin e paqes që mbështetet nga Perëndimi.
Kryetari i parlamentit, Stojan Andov tha sot se deputetët nuk do ta vazhdonin debatin në rast se nuk i jepej fund klimës së provokimeve dhe të terrorit në disa pjesë të vendit.
Më pas, një grup shqiptarësh, që nuk i kishin lejuar refugjatët maqedonas të vizitonin shtëpitë e tyre në afërsi të Tetovës, i hoqën barrikadat. Por nuk ka pasur njoftime se kur parlamenti do të rifillojë debatin.