Më 31 gusht të vitit 1886 qyteti Charleston, në Karolinën e Jugut u godit nga tërmeti, më shkatërrimtari që ka rënë ndonjëherë në Amerikën Veriore. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 24 kilometra në veriperëndim të këtij qyteti bregdetar, ku vetëm disa ndërtesa mbetën pa u shëmbur. Tërmeti hapi të çara të thella në tokë nga të cilat dolën re sulfurore. Shumica e rreth 100 viktimave të tërmetit, ishin njerëz që pas lëkundjeve të para, dolën jashtë nëpër rrugët e Charlestonit. Duke mos ditur se ç’ishin tërmetet ata kujtonin se kishte ardhur fundi i botës. Tërmeti i Charlestonit u ndje deri në Kubë, Kanada dhe në shtetin Iowa.
Më 31 gusht 1908 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara i dha një goditje taktikës së përdorur nga sindikatat gjatë grevave. Gjykata arriti njëzëri në përfundimin se Bashkimi i Kapelabërësve të Amerikës së Veriut kishte shkelur disa ligje anti-trust, kur kishte sponsorizuar një bojkotim në shkallë kombëtare të Kompanisë së Kapelave Danbury. Çështja lidhej me të drejtën e sindikatave për të imponuar një bojkotim në shkallë të gjërë kundër prodhimeve të kompanive që ato i luftonin. Kompania tha para gjykatës se bojkotimi, që u respektua edhe nga sindikata të tjera për shkak të solidaritetit punëtor, i kishte kushtuar kompanisë qindra mijëra dollarë. Vendimi i gjykatës së Lartë kërcënonte të dobësonte sindikatat kombëtare duke i mbajtur ato përgjegjëse për dëmet lidhur me të cilat ngrinin padi kompanitë private të dëmtuara nga taktikat e tyre. Më 1918 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi një ligj që përjashtonte sindikatat e organizuara nga paditë penale ose civile për shkelje të ligjeve anti-trust.