Ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Peres, tha se do të takohet me udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, gjatë javës së ardhshme për të diskutuar një marrëveshje për armëpushim midis dy palëve. Zoti Perez tha se takimi me zotin Arafat do të jetë raundi i parë i bisdimeve, që do të pasohen edhe nga dy raunde të tjera.
Një zëdhënës palestinez tha se është me rëndësi që zoti Perez të vijë në takim me një mandat të qartë për të arritur mirëkuptim dhe se kryeministri Ariel Sharon do të respektojë rezultatet e këtyre bisedimeve. Palestinezët kanë thënë se në këto takime duhet të diskutohet më tepër se sa vetëm mënyrat për t’i dhënë fund dhunës, siç këmbëngul Izraeli.
Veprimet me dhunë vazhduan edhe dje, kur palestinezë të armatosur vranë një ushtar izraelit në afërsi të qytetit Tulkarm të Bregut Perëndimor, ku disa orë më parë nga të shtënat e helikopterëve izraelitë u vranë dy militantë palestinezë.