Lidhje

Kalendari historik i datës 30 gusht - 2001-08-30


Më 30 gusht 1967 Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi kandidaturën e zotit Thurgood Marshall, për t’u bërë anëtar i Gjykatës së Lartë amerikane. Zoti Marshall, i cili ishte zezaku i parë që bëhej anëtar i Gjykatës së Lartë, kishte qenë avokati kryesor i Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë. Gjatë kohës që shërbeu në Gjykatën e Lartë të vendit, Marshall mbështeti idenë e një interpretimi të gjërë të garancive kushtetuese për një shtyp të lirë. Ai u ngrit kundër dallimit racial dhe mbajti një qendrim liberal për shumicën e çështjeve sociale që u ngritën para gjykatës. Duke iu referuar moshës dhe gjendjes shëndetësore. Gjykatësi Marshall, kërkoi të dalë në pension në qershor të vitit 1991. Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë dhe mbrojtësi i të drejtave civile, Thurgood Marshall vdiq më 24 janar 1993.

Më 30 gusht 1780, gjenerali i Ushtrisë Revolucionare të Amerikës, Benedict Arnold, kreu një nga veprimet më të ulta të tradhtisë, që mbahen mend në historinë amerikane. Gjenerali Arnold hyri në kontakt të fshehtë me britanikët dhe pranoi të lejonte marrjen e fortesës West Point, në shtetin e Nju Jorkut dhe të 3 mijë trupave amerikane që ishin nën komandën e tij. Çmimi për tradhtinë e tij 20 mijë stërlina angleze. Komploti u zbulua dhe Arnoldi iku për t’u vënë nën mbrojtjen e anglezëve në qytetin e Nju Jorkut. Para se të tradhtonte, gjenerali Arnold kishte qenë një hero i vërtetë i luftës amerikane për pavarësi. Ai kishte udhëhequr me trimëri në fitore trupat e tij, në shumë beteja me britanikët. Megjithatë thuhet se ai ishte njeri i pangopur, që kishte dobësi për të bërë një jetë luksoze. Marrëveshja për të dorëzuar fortesën West Point, shpjegohet me nevojën e Arnoldit për para, që të bënte një jetë luksoze, të cilën mundësitë financiare nuk ia lejonin. Në Shtetet e Bashkuara emri Benedict Arnold, u bë sinonim i tradhtisë dhe i pabesisë.

XS
SM
MD
LG