VOA: Zoti Ambasador, komuniteti ndërkombëtar priste që zgjedhjet në Shqipëri të kontribuonin për forcimin e stabilitetit dhe të demokracisë në vend. Megjithëse ende nuk e dimë rezultatin përfundimtar, a mendoni se zgjedhjet do t’ia arrijnë këtij qëllimi.
AMB. LIMPRECHT: Siç e dini komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të mëdha dhe kanë shpenzuar burime të mëdha për këto zgjedhje. Për vlerësimin e tyre ne shikojmë raportet e vëzhguesve evropianë, të Këshillit të Evropës dhe të ODIHR-it, dhe në përgjithësi vlerësimi i tyre pas dy raundeve ka qënë pozitiv. Zoti Vulchanov, që është kryetari i këtij misioni e tha hapur se këto ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Por megjithatë gjatë zgjedhjeve pati disa probleme të izoluara që duhen parë më hollësisht.
VOA: Opozita i ka kundërshtuar rezultatet në shumë zona dhe ka vënë kushte për njohjen e rezultatit. A mendoni se pas zgjedhjeve dy forcat kryesore, PS dhe PD do të dalin më të polarizuara dhe ç’duhet bërë që këto forca të mbajnë qëndrime më racionale me njera tjetrën?
AMB. LIMPRECHT: Para zgjedhjeve, u vu re një debat më i hapur, më i balancuar midis partive, jo aq i politizuar sa më parë. E kam thënë disa herë publikisht gjatë fushatës zgjedhore se partitë në Shqipëri duhet ta shohin veten si rivale dhe jo si armike. Kështu ndodh në vendet demokratike. Ne në komunitetin ndërkombëtar i kemi bërë thirrje opozitës që ankesat rreth rezultatit dhe zonave të veçanta t’ia paraqesin ODIHR-it dhe institucioneve shqiptare. Ne dhe ODIHR-i do t’i ndjekim nga afër mënyrën si do të trajtohen ankesat. Unë pres të shoh një debat më të balancuar dhe më demokratik në parlamentin e ardhshëm.
VOA: Disa kritikë thonë se perëndimi po i jep mbështetje pa rezerva qeverisë shqiptare për shkak të politikës së saj të moderuar ndaj krizave në Ballkan, dhe po mbyll ndërkohë një sy për problemet e brendshme të vendit. A qëndrojnë këto kritika?
AMB. LIMPRECHT: Mendoj se këto kritika janë tërësisht të gabuara. Është e vërtetë që të gjitha palët në politikën shqiptare janë treguar të përgjegjshme për ato që po ndodhin në Maqedoni si dhe në rajonet e tjera të Ballkanit. Kjo është e rëndësishme dhe pa dyshim, si ne, si Bashkimi Evropian e kemi patur këtë parasysh. Por në të njejtën kohë ata që e lexojnë me vëmendje raportin e Bashkimit Evropian për fillimin e bisedimeve për marrëveshjen e asocimit me Shqipërinë, do të shohin se në të ngrihen një numër problemesh të rëndësishme, si korrupsioni, krimi i organizuar, dobësitë ekonomike, dobësitë në administratën publike, probleme këto që duhen trajtuar shumë seriozisht dhe që Washingtoni dhe Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë më nga afër.
VOA: Para disa ditësh Departamenti i Shtetit botoi një raport ku Shqipëria renditet mes 23 vendeve që nuk bëjnë sa duhet për të luftuar trafikun njerëzor. Shqipëria po ashtu është kritikuar për korrupsion. Sa shqetësuese janë këto probleme për vendin?
AMB. LIMPRECHT: Këto janë probleme reale dhe serioze. Këto probleme egzistojnë në gjithë vendet që janë në tranzicion dhe me Shqipërinë ato duhen trajtuar seriozisht. Por duhet thënë se veç Shqipërisë në listën e 23 vendeve me trafik njerëzor janë edhe Izraeli, Turqia, Greqia dhe shumica e fqinjëve ballkanikë të Shqipërisë. Ne kemi gjetur disa fusha ku mendojmë se mund të bëhet përmirësim. Unë kanë zhvilluar takime me udhëheqësit e vendit për disa fusha që duhen përmirësuar dhe ne do të merremi me këto probleme me qeverinë e re që do të formohet. Problemet egzistojnë, ato janë serioze, por është pozitive, se ne po bashkëpunojmë tani nga afër me Bashkimin Evropian, me Këshillin e Evropës, me OSBE-në, pra të gjitha institucionet ndërkombëtare po bashkëpunojnë për këtë problem, jo vetëm me qeverinë e Shqipërisë por edhe me partitë e opozitës.
VOA: Edhe një pyetje e fundit. Si është zhvillimi ekonomik në Shqipëri. Ky problem është edhe më shqetësues për njerëzit se sa problemet politike për të cilat po flasim ne në këtë intervistë.
AMB. LIMPRECHT: Është e rëndësishme të theksohet se që nga 1997 ekonomia shqiptare është rritur me një ritëm prej 7 - 8 përqindësh në vit. Megjithëse u nis nga një pikë e ulët, ajo prapë është një rritje e madhe. Një numër i madh shqiptarësh punojnë sot jashtë vendit, njerëzit kanë të afërm që punojnë jashtë dhe sjellin fonde brenda vendit duke i investuar ato në Shqipëri. Vetë shqiptarët, por edhe të huajt që kanë punuar e jetuar në Shqipëri për një farë kohe më kanë thënë shpesh se shqiptarët duan stabilitet, ata po fillojnë të krijojnë klasën e mesme, një klasë që do stabilitet ekonomik dhe politik. Ky është edhe një mesazh që u dërgohet partive politike me këtë rast.