Lidhje

Rritje e çmimit të shkollave në Amerikë - 2001-05-28


Gjatë 15 viteve të fundit, çmimet e shkollimit këtu në Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rritje dy herë më të madhe se sa shkalla e inflacionit, duke arritur një mesatare prej mbi 50 mijë dollarë për katër vite nëpër universitetet shtetërore. Disa kompani kanë dalë me oferta të ndryshme që duket se do t’i lehtësojnë vështirësitë financiare me të cilat përballen prindërit për arsimimin e fëmijëve të tyre. Përmes faqës së saj në internet, youpromise.com ofron një plan për pagesat e shkollimit që u mundëson prindërve të kursejnë.

Kompania Youpromise ka siguruar mbështetjen e një rrjeti të tërë kompanish, përfshirë këtu edhe kompanitë e njohura si AT&T, General Motors, Citibak, dhe Exxon të cilët ofrojnë t’u kthejnë paratë prindërve, për artikujt që ata kanë blerë. Presidenti i kompanisë Youpromise, Jeff Busgang thotë se paratë që u kthehen prindërve, në vlerë prej 1 deri në 10 përqind të çmimit, depozitohen drejtëpërsëdrejti në një llogari kursimesh pa taksa, që i përkushtohet fëmijëve për shpenzimet e shkollimit universitar.

“Brenda një periudhe 15 vjeçare, nëpërmjet kontributeve nga kompania jonë ne llogarisim se një familje me të ardhura prej 58 mijë dollarësh mund të kursejë deri në 20 mijë dollarë për të paguar për shkollimin e fëmijëve.”

Nëse familjet blejnë ndonjë shtëpi apo makinë përmes kompanive që mbështesin nismën e kompanisë Youpromise, atëherë ato mund të kursejnë edhe më shumë. Siç shprehet edhe zoti Bussgang, secila përfiton nga diçka. Prindërit sigurojnë kursime për shpenzime shkollimi, kompania youpromise fiton të ardhura nga kompanitë që e mbështesin nismën e saj ndërsa kompanitë sigurojnë numër më të madh të konsumatorëve.

“Kompanitë gëzojnë mundësinë që të lidhen me konsumatorët rreth aspekteve më të rëndësishme për ta, siç janë familja e tyre, fëmijët, dhe ardhmëria e fëmijëve të tyre. Kështu që përmes kësaj oferte kompanitë mund të presin besnikëri nga ana e konsumatorëve, si dhe mundësi të mrekullueshme për të siguruar më shumë konsumatorë.”

Nga ana tjetër, bankat po ofrojnë programe të posaçme investimi për prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekim mësimet në universitet. Përveç kësaj, shumica e 50 shteteve këtu në Amerikë, kanë krijuar programe që u mundësojnë prindërve që të kursejnë të holla për të paguar shpenzimet e shkollimit, të liruar tërësisht nga taksat.

Përhapja e programeve të tilla ka nxitur edhe përhapjen e kompanive të ndryshme, që kanë për qëllim t’i ndihmojnë prindërit të zgjedhin programet që u ofrohen. Në kompaninë Kursimet për Universitet, apo siç njihet në anglishte savingsforcollege.com, ekonomisti Joe Hurley fiton të ardhura duke u ofruar prindërve listat me të gjitha metodat për kursimet e të hollave. “Përmes faqës tonë në internet ne shesim prodhime të ndryshme siç është libri im i titulluar ”Mënyra më e mirë pët të kursyer për shpenzimet e shkollimit” apo edhe publikime të tjera që unë i shkruajë për profesionist, dhe kjo është mënyra e vetme se si ne sigurojmë të ardhura.”

Ndërkohë që shpenzimet e shkollimit universitar po vazhdojnë të rriten dhe programet e ndryshme të kursimit po përhapen, zoti Hurley thotë se edhe kërkesat për ekspertë financiarë po rriten gjithnjë e më shumë.

XS
SM
MD
LG