Lidhje

Kosovë: Shkurtohet në 10 mijë numri i trupave të KFOR-it


Që nga sot, numri i pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse në Kosovë ka rënë në 10 mijë dhe kështu është përmbushur faza e parë e paksimit të pranisë së NATO-s në Kosovë.

Në një njoftim të këtyre trupave thuhet se me këtë është përmbushur një hap i rëndësishëm në historinë e këtij misioni. Brenda një strukture shumë me efektive, 10 mijë ushtarë nga 32 vende ofrojnë siguri dhe qendrueshmëri për qytetarët e Kosovës, thuhet në njoftim, duke nënvizuar se këto ndryshime nuk do të dobësojnë sigurinë në vend.

Koncepti i ri i NATO-s zvogëlon trupat në Kosovë, duke mbajtur ndërkaq në gatishmëri trupat rezervë në rast të nevojës për të mbështetur forcat e KFOR-it. Në njoftim thuhet se NATO-ja vazhdon të jetë e vendosur për ruajtjen e paqes dhe qendrueshmërisë në rajon.

Vendimi për të shkurtimin e KFOR-it u morr nga NATO-ja në korrik të vitit 2009, pas një vlerësimi të hollësishëm të sigurisë në gjithë rajonin. Shkurtime të mëtejshme do të ndodhin në bazë të vlerësimeve mujore që do të bëjnë drejtuesit e lartë të NATO-s mbi sigurinë në Kosovë. Njëkohësisht ata thonë se kjo pasqyron edhe përmirësimin e gjendjes në vend dhe forcimin e mekanizmave të brendshëm të sigurisë.

Në qershor të vitit 1999 në Kosovë ishin vendosur 50 mijë trupa të NATO-s duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare. (ze)

XS
SM
MD
LG