Tereni me dëborë, kafshët arktike dhe dimri i bukur, asete natyrore në skajin më verior të gadishullit skandinav, Lapland, thuhet se janë në rrezik të ngrohjes globale. Në Finlandë, parashikohet që periudha e kohës kur ky vend është i mbuluar nga dëbora do të shkurtohet, ndërkohë që sasia totale e borës do të shtohet, veçanërisht në stinën e dimrit.
Arinjtë polarë dhe kukuvajkat strehohen në dëborë në kopshtin zoologjik Ranua, plus ngricat mbi ujin e lumenjve: skena tipike të dimrit në Lapland. Por kjo mund të ndryshojë në një të ardhme jo shumë të largët për shkak të ndryshimeve klimatike.
Që prej fillimit të shekullit, mendimi se ngrohja globale është një sfidë e së ardhmes së largët dhe jo një problem që kërkon masa urgjente, ka ndryshuar, ndërsa studimet dhe kërkimet kanë nxjerë në pah më shumë hollësi meteorologjike rreth pasojave të ngrohjes globale.
“Natyrisht që është një çështje shumë e rëndësishme për ne që punojmë dhe banojmë në Lapland. Në fakt, ne kemi disa programe dhe projekte që meren me çështje të ngrohjes globale”, thotë Jari Pasanen, drejtor i departamentit të qendrës rajonale për mbrojtjen e mjedisit në Lapland.
“Rezultatet më të fundit na tregojnë se ka mundësi që rajonet arktike, si Laplandi do të preken më shumë, madje e njëjta gjendje mund të shikohet në mbarë rajonin e Arktikut. Pra kjo zonë është e pambrojtur e kjo është arsyeja që ndikimi është më i fortë në pjesën veriore të Evropës”.
Sipas organizatës që meret me vlerësimin e ndikimit të klimës në Arktik, temperatura mesatare vjetore në atë zonë është ngritur thuajse dy herë më shumë se sa pjesa tjetër e botës.
Në rajone të Arktikut, zona të mëdha tokësore e ujore, të ekspozuara nga tërheqja e akullit dhe borës, absorbojnë më shumë energji diellore dhe përforcojnë paralajmërimin e ngrohjes globale.
Ndikimi i ngrohjes globale po vërehet gjithnjë e më shumë në Finlandë, ndërkohë që pakësohet numri i shumë specieve arktike dhe speciet e jugut përhapen drejt veriut.
Në Lapland, bashkitë e tre qyteteve po marin pjesë në një projekt ndërkombëtar, që synon të ulë ndikimin e ngrohjes globale dhe të ndihmojë banorët t’i përshtaten ndryshimeve të klimës.
Clim-ATIC është një projekt evropian prej 2.4 milion Eurosh, i cili filloi më 1 Mars 2008 dhe do të vazhdojë deri në 30 prill të vitit 2011.
Në këtë projekt marrin pjesë edhe Skocia, Suedia, Norvegjia dhe Grenlanda.
Në qytetin Rovaniemi të Finlandës, projekti përqëndrohet në përgatitjet për ndryshimet e klimës.
Miikka Halonen, menaxher i projektit Clim-ATIC në Rovaniemi, përshkruan atë që i shqetëson shumë banorët e Laplandi.
“Në se dimri është i shkurtër, kjo ndikon tek sezoni i Krishtlindjeve. Dimri dhe turistët e Krishtlindjeve janë shumë të rëndësishme për qytetin tonë prandaj ne kemi nevojë për dëborë. Kemi nevojë edhe për dëborën e dimrit dhe për plakun e vitit të ri”.
Rreth 20 kilometra nga Rovaniemi, mund të shikosh 20 deri 40 centimetra dëborë.
Një prej çështjeve që projekti Clim-ATIC përpiqet t’i japë përgjigje është për shembull, se çfarë pasojash do të ketë ngrohja globale tek përmbytjet e shkaktuara nga lumenjët e përrenjtë e Laplandit.
“Mendoj se me që Rovaniemi shtrihet mes dy lumenjve, nëse kemi përmbytje të mëdha, do të kemi edhe dëme të mëdha. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për topografët dhe vendim-marrësit e qytetit Rovaniemi”.
Në shkallë kombëtare, Finlanda i filloi përgatitjet për një strategji për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike nga fundi i vitit 2003.
Kjo strategji synon të shtojë aftësinë e natyrës e të njerzve për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike nëpërmjet minimizimit të ndikimeve negative ose duke përfituar nga ndikimet pozitive.
Meteorologu Juka Julkunen është i bindur se të paktën moti nuk do të ndryshojë ndjeshëm në të ardhmen e afërt.
“Ndoshta vjeshta është pak më ngrohtë se më parë, por dimri, sidomos në janar e shkurt, këto muaj janë normalë”.
Lajm i mirë ky për vizitorët që duan të argëtohen në dëborë. (ze)