Shtetit amerikan Masaçusets zhvilloi dje zgjedhje të posaçme për të zgjedhur senatorin që do të zërë vendin e lënë bosh nga senatori i ndjerë Ted Kennedy, që e mbajti atë vend për gati gjysëm shekulli. Republikani Skot Braun siguroi një fitore thuajse të papritur në këto zgjedhje përkundrejt demokrates Martha Kokli. Rezultati ishte 52 për qind për zotin Braun dhe 47 për zonjën Kokli.
Zoti Braun me fitoren e tij, shënoi një kthesë të papritur në zhvillimet politike të Amerikës. Zoti Braun tha mbrëmë në fjalimin e fitores se ishte dëgjuar zëri i votuesve të pavarur të shtetit Masaçusets. Fitorja e zotit Braun mund të sinjalizojë shumë probleme për partinë e zotit Obama këtë vit zgjedhjesh për në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat dhe guvernatorë në një numër shtetesh.
Por një problem më i ngutshëm për presidentin është se zoti Braun do të bëhet republikani i 41-të në Senatin prej 100 anëtarësh. Kjo do të mundësojë partinë e pakicës që të bllokojë legjislacionin e presidenit për kujdesin shëndetësor si dhe tërë programin e tij. Me fitoren e republikanit Skot Braun në Masaçusets ndaj demokrates Martha Kokli, demokratët në senat humbën shumicën e padiskutueshme, e nevojshme për të bërë realitet objektivat krysore të presidentit Obama.
Rezultati i djeshëm në Masaçusets nuk është shenjë e mirë për demokratët në këtë vit zgjedhjesh.
Nëse demokratët nuk mundën të fitonin në një bazë të tyre të fortë, për të mbrojtur vendin në Senat që u mbajt për gati gjysëm shekulli nga senatori i ndjerë e tepër i njohur Ted Kenedi, përkundrejt senatorit të shtetit, relativisht i panjohur, ata mund të jenë në baza të dobëta thuajse kudo gjetkë.
Ligjvënësit demokratë mund ta interpretojnë rezultatin në Masaçusets si një votë kundër programit të zotit Obama, duke dobësuar mbështetjen për presidentin. Rezultati mund të trondisë edhe disa demokratë, që do të kandidojnë për t’u rizgjedhur. Ja si shprehet gazetarja e Associated Press, Liz Sidoti, e cila shkruan mbi tema politike.
“Votuesit janë ngopur me Washingtonin, debatet partiake, shpëtimi i Uoll Stritit, papunësia e lartë, shpenzimet e skajshme federale si dhe debati partiak mbi kujdesin shëndetsor. Të gjitha këto shtuan pakënaqësinë dhe zhgënjimin tek elektorati. Skot Braun përfitoi nga kjo atmosferë dhe duke shfrytëzuar këtë zemëroi mundi kandidaten demokrate në një prej bazave më të fuqishme demokrate në Shtetet e Bashkuara”.
Vetëm disa javë më parë, kandidatja demokrate Kokli, prokurorja e përgjithshme e shtetit, gëzonte mbështetje shumë më të madhe se sa zoti Brown dhe dukej se e kishte fitoren të sigurtë. Humbja e saj ishte e rëndë edhe për Shtëpinë e Bardhë pasi vetë presidenti Obama shkoi në Boston të dielën në përpjekje për t’i dhënë shtytje fushatës së kandidates demokrate.
Këto zgjedhje nxjerrin në pah ndryshimin e mbështetjes për demokratët, vetëm një vit pas euforisë së inagurimit të Barak Obamës më 20 janar të vitit të kaluar si presidenti i parë afrikano-amerikan.
Me fushatën e tij, zoti Braun u dha energji republikanëve, ndërkohë që tërhoqi demokratët e zhgënjyer dhe votuesit e pavarur. Dhe një fakt tjetër zhgënjyes për demokratët, zoti Braun fitoi vendin që Kenedi mbajti për aq gjatë në Senat, duke premtuar se do të kundërshtojë reformën në kujdesin shëndetsor, siç është propozuar nga të dyja dhomat e Kongresit, një çështje kjo që identifikohej me kamjonin liberal, i cili vdiq gushtin e kaluar.
Republikanët i kanë kundërshtuar thuajse një zëri propozimet e presidentit për reformën e kujdesit shëndetosr, duke thënë se ato do të pasohen nga ngritja e taksave dhe ndërhyrja e qeverisë në vendimet rreth shëndetit të njerzve. Zoti Braun do të shërbejë deri në fund të mandatit, që ish senatori Kennedy la përgjysëm, i cili përfundon në vitin 2012. //ad//