Lidhje

Haiti: Ndihmat ende shpërndahen me vështirësi


Ekipet e ndihmave në Haiti thonë se po fillojnë të ndjehen rezultatet e përpjekjeve për të ndihmuar viktimat e tërmetit në Porto Princ. Por pakënaqësia po shtohet mes haitianëve, të cilët thonë se ende nuk kanë marrë ushqime, ujë dhe ndihmë mjeksore. Ish presidenti amerikan, Bill Klinton, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, vizitoi Haitin e shkatërruar nga tërmeti, ku operacionet e ndihmave po intensifikohen për dhjetra mijëra të mbijetuarit, që presin ushqime ujë dhe domosdoshmëri të tjera bazë.

Ndërsa presidentë dhe ish presidentë kanë vizituar aeroportin e kryeqytetit haitian duke premtuar shpërndarjen e ndihmave, banorët thonë se ende nuk kanë marrë asgjë.

Inoge Laviette, punonjës i organizatës ndërkombëtare të ndihmave, Aksion Kundër Urisë, shpërndan për herë të parë ujë për njerëzit që e kalojnë natën përjashta përpara pallatit të dëmtuar presidencial.

“Njerëzve u duhet të ecin shumë që të marrin ujë të pijshëm. Disa herë kur janë të dëshpëruar, ata pinë çfarë do lloj uji që gjejnë, edhe ujë me bakterie, vetëm për të mbijetuar”.

Shtëpia e Mirland Havierit u shkatërrua nga tërmeti. Ajo bashkë me familjen e saj kanë fjetur poshtë kësaj peme për gati një javë. Atyre shumë shpejt do t’u mbarojnë ushqimet dhe paratë. E pyetur se çfarë ka në plan të bëjë, ajo përgjigjet: ‘Nuk e di’.

“Nuk na kanë dhënë asgjë. Çfarëdo që kishim e ndamë mes njeri tjetrit. Deri tani kemi pasur ushqime për vete pa ndihmën e ndonjë qeverie, politikani apo organizate ndërkombëtare”.


Bashkimi Evropian i ka ofruar Haitit një ndihmë prej më tepër se 575 milionë dollarësh. Ndihma e evropianëve dhe vendeve të tjera për Haitin përbëjnë kontributin më të madh global që prej cunamit të vitit 2004 në Azi.

Kanadaja thotë se do të organizojë një takim javën e ardhshme për të kordinuar përpjekjet e donatorëve perëndimore dhe të Kombeve të Bashkuara.

Por donacionet për të ardhmen nuk u interesojnë shumë banorëve të dëshpëruar të Porto Princit, pasi ata janë të shqetësuar sot për sot.

Megjithëse haitianët janë vizituar nga personalitete, si Sekretarja amerikane e Shtetit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, një president si dhe ish presidenti Bill Klinton, ata ende nuk kanë parë me sy ushqime, ujë dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm.

“Asgjë nuk funksionon. Nuk kemi as qeveri, as president e as polici. Asgjë nuk funksionon”,
thotë një grua.

Zoti Klinton vizitoi spitalin e shkatërruar të Porto Princit bashkë me të bijën Çelsi dhe u përpoq të shprehej me fjalë inkurajuese.

“Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që ekipet e ndihmave po bëjnë tashmë: Përshpejtimi i shpërndarjes së ndihmave. Shumë më tepër njerëz kanë nevojë për ndihma bazë. Mendoj se gjendja e shpërndarjes së ndihmave po përmirësohet. Këtë e shikoj vetë, po ta krahasoj gjendjen me dy ditë më parë dhe nesër do të jetë edhe më mirë”.

Fjalët mund të jenë plot shpresë, por banorët përballen me një realitet të hidhur. Në një prej shumë çadrave të ngritura në qytet, shpresa është e përzjerë me dëshpërimin në rritje.

“Ne duam që zoti Klinton të ndihmojë popullin haitian. Tani ne po jetojmë nëpër rrugë dhe nuk ka mbetur asgjë, prandaj shpresojmë se prania e tij do të na ndihmojë”, thotë një banor.

Sipas ish-presidentit Klinton, ndihma po arrin, madje edhe njerëzit që presin radhën në aeroport për t’u evakuuar, janë optimistë.

Por ndërkohë, banorët e Porto Princit bëjnë çështë e mundur për të mbijetuar. Ata kalojnë mbi rënoja, më tutje është një trup i pajetë, disa burra gjejnë disa shishe me ujë aty ku para tërmetit ndodhej një dyqan.

Ata kërkuan që të mos fotografoheshin, sepse nuk po plaçkisnin, por thanë se thjesht po përpiqeshin të mbijetonin. //ii

XS
SM
MD
LG