Lidhje

I dërguari i Këshillit të Evropës, Dik Marti, viziton Kosovën


Në Kosovë ndodhet i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili do të hetojë akuzat e ngritura nga Beogradi, sipas të cilit kryengritësit shqiptarë kanë rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pastaj kanë trafikuar organet e tyre.

Vizita e tij dyditëshe po zhvillohet larg syve të opinionit ndërsa nuk është publikuar asnjë prej takimeve të tij. Vitin e kaluar senatori zviceran Dick Marty u ngarkua me detyrën për hetimin e pretendimeve se pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare ishin të përfshirë në trafik organesh të personave të zhdukur gjatë luftës. Pohimet e tilla për herë të parë u ngritën nga ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj "Gjuetia", të botuar në vitin 2008.

Pas kësaj, një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje. Autoritetet në Kosovë janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë me këdo që është i interesuar të kryejë hetime të paanshme për zhvillimet gjatë luftës në Kosovë. Por ato i kanë mohuar akuzat duke i cilësuar si përpjekje për të dëmtuar luftën e Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe për të vendosur një baraspeshë nga ana e Beogradit qe është përgjegjës për shumë mizori të kryera në Kosovë. Autoritetet serbe i kanë thënë më herët senatorit Marty se kanë prova për të paktën dhjetë raste të tilla, ndërsa dyshojnë për një numër më të madh të tyre.

Në fillim të muajit qershor, të viti të kaluar, policia e Kosovës kishte arrestuar tre pjesëtarë të komunitetit serb nën dyshimin u kanë ofruar sasi të mëdha parash njerëzve, të cilët siç thuhet, "do të jepnin dëshmi te rreme, se kanë qenë viktima të trafikimit me organe të serbëve gjatë luftës në Kosovë".//lk

XS
SM
MD
LG