Zëri i Amerikës: Faleminderit për këtë intervistë për ‘Zërin e Amerikës’. Do të doja ta nisja nga kriza ekonomike, që përfshiu gjithë globin dhe natyrisht la pasoja edhe në vendet e Evropës Juglindore, vende me zhvillim jo të njëjtë me ato të pjesës tjetër të Evropës. Cilat jane, sipas jush, pasojat e kësaj krize dhe sa kohë do t’u duhet këtyre vendeve që ta lëne këtë krizë.
Filip lë Ueru: Për pjesën e parë të pyetjes mund të thoja se përgjigjia gjendet tek transmetimi i kësaj rritjeje shumë të fortë që kemi dëshmuar në Evropën Lindore dhe kjo ishte në fakt produkt i një integrimi shumë të fortë në një treg shumë të madh, si ai i Bashkimit Evropian. Ky integrim ka ndodhur përmes tregtisë, përmes investimeve të huaja direkte dhe huave tregtare. Kur kriza financiare goditi këta mekanizma të integruar, të cilët ishin motorë shumë të fuqishëm të këtij integrimi që ka sjellë rritjen, ato ndryshuan pozicion duke u konvertuar në mekanizma transmetimi për ngadalësimin e rritjes dhe vende të caktuara në të vërtetë kaluan tkurrje shumë të rënda në PBB-të e tyre.
Pjesa e dytë e pyetjes është të shohësh përpara. Cili është parashikimi? Është e vështirë të bësh parashikime. Por, ne në Bankën Botërore, në rajon e me gjerë, të gjithë bashkohemi në një konsensus të përgjithshëm që është se dalja nga kriza në Evropë do të jetë e ngadalshme. Pra, nuk do të kemi një kthim të fortë në rritjen ekonomike, siç ndodhi në Azinë Lindore apo Indi. Gjë që do të thotë se viti i ardhshëm do të jetë i vështirë dhe do të shohim diferencime mes vendesh: disa vende do të vazhdojnë të dalin nga kriza më parë se vendet e tjera, ndërsa disa të tjera do të vazhdojnë të preken nga kriza, dhe kjo do të varet nga struktura e tyre e brendshme e ekonomisë dhe nga anët e forta të gjendjes së tyre makro-ekonomike si dhe nga vendndodhja e tyre.
Zëri i Amerikës: Duke qenë se jemi tek kjo çështje, po Shqipëria? Ka pasur debeta të shumta nëse Shqipëria është prekur, nuk është prekur, ka kaluar apo jo pasojat, por sa janë ndjerë ato: kemi të ardhurat e emigrantëve, eksportet, importet, përkeqësim të kredive nga bankat. Sipas jush, në cilën fazë ndodhet Shqipëria? Dhe ju a mendoni se Shqipëria do të jetë e kujdeshme? Cila do të jetë këshilla juaj për qeverinëshqiptare në këtë fazë?
Filip lë Ueru: Shqipëria është prekur nga kriza, ashtu si vende të tjerat të rajonit, nëpërmjet kanaleve tregtare. Shqipëria ishte me fat në këtë sens, sepse ajo nuk provoi krizë shumë të rëndë financiare, për shkak se sektori financiar dhe sektori bankar kanë qenë mjaft elastik, por mekanizmat e transmetimit mund të filtrojnë si p.sh me rënien e madhe në tregtinë e tekstileve, por edhe me rënien e remitancave dhe gjithashtu kjo lidhet me faktin se shumica e eksporteve dhe e dërgesave në të holla vijnë nga dy vende: Italia dhe Greqia. Këto dy vende përjetuan vështirësi gjatë vitit 2009 dhe ne besojmë se në vitin 2010 rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë modeste. Pra, në këtë kuptim, mekanizmi i transmetimit që ne kemi parë në gjysmën e dytë të vitit 2009, i vonuar në krahasim me vende të tjera, mund të vazhdojë edhe në vitin 2010, në krahasim me vende të tjera, ku në vitin 2010 pritet që ekonomia e tyre të fillojë rimëkembjen ose të ngjitet përsëri lart ngadalë . Pra, këshilla jonë është që Shqipëria të jetë shumë e kujdesshëm sidomos në aspektin makro-ekonomik. Sigurisht ka qenë diçka pozitive që autoritetet shqiptare kanë menaxhuar situatën e përgjithshme makroekonomike në dy dekadat e fundit mjaft mirë dhe ne besojmë se ky ka qenë një nga komponentët kryesorë të suksesit që ekonomia shqiptare ka njohur gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Pra me sytë nga e ardhmja, duke qene në një mjedis të brishtë, është shumë e rëndësishme që të ketë politika fiskale dhe politika makro shumë të kujdeshme. Është gjithashtu e rëndësihme të bësh parashikime të sakta të ekonomisë, sepse, siç e dini, çdo gjë është e lidhur në fushën e ekonomisë. Pra, parashikimet shërbejnë si udhëzime shumë të mira në parashikimin e buxhetit të qeverisë shqiptare, si e hartoni atë dhe çfarë vendimesh merr.
Parashikimi i ekonomisë si i tërë është një forcë lëvizëse. Pra, ky parashikim është shumë i rëndësishëm, sepse ai vendos në një masë shumë të madhe se cilat do të jenë të ardhurat, kështu që përsëri mendoj se pasja e të dhënave për ekonominë mbart rëndësi, por po aq e rëndësishme mbetet edhe përdorimi i këtyre të dhënave në kohë reale për të bërë parashikime të sakta gjatë krizave për menaxhimin e tyre sa më drejtë.
Zëri i Amerikës: Duhet te jemi optimist apo pesimist per 2010?
Filip lë Ueru: Unë do të përsëris atë që Zoti Trichet tha dje. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe në mënyrë të arsyeshme optimistë për rajonin në tërësi. Por, unë nuk mendoj se ne kemi dalë ende nga kriza. Në këtë kontekst, në këndvështrimin tim, rritja për Shqipërinë në vitin 2010 do të vazhdojë të jetë e vështirë. Pra edhe njëherë duhet të jemi optimistë, por optimistë në mënyrë të kujdesshme. Sepse unë besoj se rajoni do të dalë nga kjo krizë dhe përfundimisht problemi është faktori kohë. Eshtë shumë e vështirë të parashikosh se cila do të jetë pikërisht strategjia e daljes nga kriza, cili do të jetë stimuli fiskal dhe ky stimul fiskal ka të bëjë me mbajtjen e disa aktiviteteve nëpërmjet sektorit privat, nëpërmjet investimeve private, por diku gjatë rrugës krijohen borxhe, që mund të pengojnë rritjen e sektorit privat dhe kjo është në të vërtetë ajo që qeveria nuk dëshiron të bëj.
Pra, mënyra se si qeveria shqiptare starton stimulin fiskal lidhet me rëndësinë që ajo duhet t’i kushtojë edhe borxhit publik, duke u siguruar që sektori privat të fillojë investimet. Dhe koha midis të tashmes dhe asaj që pritet të vijë do të jetë e rëndësishme sepse do të duhen të dhëna në kohë reale. Ky menaxhim do të jetë strukturor. Një tjetër gjë që unë do të doja të shtoja lidhur me aspektin fiskal. Kur Shqipëria ndodhet në një situatë, ku të ardhurat nuk janë në rritje dhe nuk dëshiron që borxhet e saj të rriten shumë shpejt, atëherë theksin duhet ta verë tek një menaxhim më efikas i shpenzimeve publike. Dhe kjo është shumë e vështirë dhe po aq e vështirë është edhe marrja e vendimeve. Dhe ne si Bankë, ndajmë të njëjtin mendim me qeverinë se duhet të përqëndrohemi tek shtresat më të doëeta të shoqërisë, ku në fokus është varfëria, për të lehtësuar atë në interes të familjeve shqiptare.
Zëri i Amerikës: Z. Zv. President ju ishit këtu për disa ditë duke biseduar me qeverinë shqiptare dhe me aktorë të tjerë të jetës ekonomike dhe politike për strategjinë e bashkëpunimit mes Bankës Botërore dhe Shqipërisë. Banka Botërore ka pasur një prani të gjatë në Shqipëri dhe ajo ka qenë e pranishme në thuajse të gjithë sektorët. Në vitet e ardhshme mbështetja e Bankës Botërore do të jetë në front të gjerë, apo ajo do të mbështetet në 2-3 drejtime.
Filip lë Ueru: Një nga arsyet kryesore që unë jam këtu është për të parë atë që ne kemi bërë në dekadat e fundit dhe unë jam shumë i lumtur të konstatoj se ne jemi një partner shumë i fortë i qeverisë. Ne jemi në tranzicion së bashku me Shqipërinë. Shqipëria është një vend i varfër dhe u financua ashtu si edhe vetë Banka, por tani Shqipëria e ka kaluar fazën e emergjencës, që është gjë shumë e mirë. Ky është tregues i suksesit, sepse të ardhurat janë trefishuar gjatë dy dekadave të fundit, kjo është një arritje e madhe. Varfëria është përgjysmuar në këto vite edhe kjo është një arritje tjetër. Pra, ne jemi tani në një tjetër fazë, në mënyrë që ajo që krijoi sukses në dy dekadat e para pas një periudhe të gjatë diktature dhe izolimi të vendit të vazhdojë të ndihmojë rritjen. Pyetja atëherë ishte si të kalonte vendi nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme. Tani përsëri pyetja është si të kalojmë nga një vend me të ardhura të mesme në një vend me të ardhura mesatare të larta, ose edhe një vend i pasur. Kështu që këtu duhet të vlerësohet me shumë kujdes se cilat janë gjërat kryesore.
Kemi fazën e parë, qe është liberalizimi i çmimeve, ku qeveria duhet të vazhdojë transformimet. Kjo kërkon reforma, të cilat nuk janë të lehta. Disa janë më të lehta, por disa të tjera janë më të ndërlikuara, kur Shqipëria me të vërtetë synon të kalojë përsëri nga një vend me të ardhura të mesme në një vend me të ardhura më të larta, por duke ristrukturuar sidomos anën institucionale. Kështu që unë besoj se ne duhet të mbështesim qeverinë për të zhvilluar institucionet e saj. Dhe sa i përket sektorëve, siç e keni permendur, ne kemi pasur diskutime me qeverinë, me anëtarë të shoqërive civile, kemi vizituar disa projekte. Interesi ynë do vazhdojë me projekte për menaxhimin e ujit, në fokus të këtij interesi do të jetë sektori e bujqësisë, ujitja për bujqësinë. Por duhet të kapemi edhe pas konceptit të zhvillimit rural, duke e organizuar sektorin. Për këtë, është e rëndësishme të ndihmojmë qeverisë për sektorin privat, që ky i fundit të vazhdojë të rritet në një mënyrë konkurruese. Pra, aktualisht në këndvështrimin tonë, jemi në një proces të vlerësimit lidhur me atë se cila do të jetë faza e ardhshme.
Unë jam këtu në fakt për të dëgjuar. Ne kemi filluar procesin e të menduarit se cilat janë sfidat kryesore. Dhe unë mendoj se sfida kryesore është zbatimi i shumë ligjeve që janë miratuar. Dhe kjo do të thotë: zhvillimi institucional. Kjo është një deklaratë e përgjithshme. Pra, ne do të shohim se ku mund të jemi më të dobishëm. Pra, siç e thashë ky është fillimi i një procesi. Ende nuk ka një strategji. Ne kemi filluar procesin e brendshëm me të gjithë partnerët tanë këtu në vend për të përcaktuar se ku duam të shkojmë. Ky moment është shumë i rëndësishëm, është udhëkryq për vendin dhe për ne, sepse ne po e shoqërojmë vendin gjatë kësaj rruge. Përsëri me projekte dhe programe në shumë sektorë. Por duhet të shohim se ku kemi qenë më të dobishëm dhe më relevant. Përsëri nuk dua të vendos shumë gjëra në tavolinë, sepse më parë duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë.
Zëri i Amerikës: Një nga sektorët që ka pasur mbështetje të vazhdueshme ka qenë ai i energjisë. Ndërkohë praktikisht në këtë fillim viti Shqipëria dhe shqiptarët do të paguajnë më shumë për shkak të rritjes së tarifave energjetike. A mendoni se kjo do të rëndojë më shumë në xhepat e shtresave të varfëra të shoqërisë shqiptare, kombinuar kjo me situatën ekonomike.
Filip lë Ueru: Natyrisht, është e sigurtë që do të ketë ndikim në xhepat e shqiptarëve. Çelsi këtu është t’i vëmë energjisë një çmim sa më të drejtë. Ne nuk duhet të harxhojmë energjinë, sepse energjia është një burim shumë i paktë. Sepse kostoja e prodhimit të energjisë është e lartë. Ne jemi të gjithë në dijeni të debatit për ndryshimet klimaterike. Pra harxhimi i energjisë nuk është një gjë e mirë nga ana ekonomike. Dhe njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në shpenzimin e saj, duke paguar për të edhe çmimin e duhur. Është e vërtetë se disa njerëz kanë mundësi ta paguajnë, dhe kjo është një gjë e mirë, por duhet që dhe ata të paguajnë për koston reale të energjisë. Problemi është se çfarë ndodh me ata që gjenden në kufi të varfërisë ose në varfëri të thellë. Për këtë çështje ne po punojmë me qeverinë për të gjetur mënyrën si t’u vijmë në ndihmë këtyre njerëzve përmes programeve të subvencioneve në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të paguajnë faturat e energjisë. Por sigurisht rritja e çmimeve është e nevojshme qe të mbulohen kostot sepse edhe energjia është një mall, por duhet të ndihmojmë anëtarët e varfër të shoqërisë për të paguar faturat.
Zëri i Amerikës: Një nga misionet a Bankës ka qenë reduktimi i varfërisë në Shqipëri. Ndërkohë Shqipëria po bënë hapa përpara drejt Bashkimit Evropian. A mendoni se roli i Bankës do të jetë po aq i rëndësishëm si më parë në Shqipëri? Apo Banka mund të ndihmojë Shqipërine edhe ne kete proces integrimi.
Filip lë Ueru: Është shumë e rëndësishme të dini se gjithë procesi i bashkimit në BE është një proces shumë i rëndësishëm, pra një proces i fuqishëm. Shumë anëtarë të rinj i janë bashkuar BE-së dhe ne si Bankë kemi qenë shumë të përfshirë në ndihmën tonë për të marrë pjesë në këtë proces. Gjithashtu ne po punojme edhe me vende që janë anëtare te BE-së. Kam parasysh Poloninë, Hungarinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Pse? Shkaku lidhet me vazhdimësinë. Zbutja e varfërisë ka shumë aspekte. Pra, ne do të vazhdojmë të merremi me ngritjen institucionale. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse siç e përmenda, ne e kemi parë këtë edhe në vendet e tjera. Aprovohen ligje. Kjo praktikë e pervoje e mirë mund të përfitohet nga vendet e tjera. Por, sfida është se si t’i zbatojmë këto ligje në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme.
Pra, kjo është fusha ku ne kemi qenë shumë të dobishëm edhe në ato vende që janë sot anetare te BE-se. Ne kemi qenë bashkëudhëtarë me to gjatë dy dekadave të fundit qysh me rënien e Murit të Berlinit. Kete eksperiencë ne mund ta sjellim edhe në Shqipëri. Përsëri po dal tek ideja e vazhdimësisë. Pra hyrja në BE është një proces i qënësishëm, ndaj edhe ngritja e insitucioneve merr një rëndësi të madhe dhe është proces i tillë. Kjo është më e rëndësishme dhe më e dobishme. Por, kjo nuk është një rrugë e lehtë. Dhe kështu unë besoj se ne mund të sjellim përvojën tonë që kemi akumuluar në të kaluarën me vendet e rajonit.