Lidhje

Shtetet e Bashkuara në ndihmë të Haitit


Administrata Obama ka premtuar një përpjekje të koordinuar dhe të shpejtë për të ndihmuar Haitin pas tërmetit të fuqishëm në afërsi të kryeqytetit Port-au-Prince që la shumë njerëz të pastrehë dhe në nevojë për ndihma urgjente.

Presidenti Barak Obama dje dislokoi ekipet amerikane të emergjencave në Haiti, disa prejt të cilave sapo kanë mbërritur. Ai premtoi mbështetje të plotë për vendin e Karaibeve për të shpëtuar njerëzit dhe për të shpërndarë ndihmat humanitare.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton dhe Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates anuluan vizitat në rajonin e Azi-Paqësorit për të ndihuar në përpjekjet e shpëtimit për Haitin nga Uashingtoni. Zonja Klinton e quajti situatën katastrofike.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Bill Clinton, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Haitin bëri thirrje për donacione në të holla për të ndihmuar viktimat e tërmetit. Ai tha se është shumë e rëndësishme për tu dhënë ushqim të mbijetuarve, ujë, strehë dhe furnizime në ilaçe për ti ndihmuar gjatë dhjetë ditëve të para.

Në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit, kreu i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Rajiv Shah tha se Shtetet e Bashkuara po dislokojnë ekipe të ndihmave që do të përfshijnë personel dhe gati 48 tonë pajisje kërkimi.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Meredith Buel na sjell më shumë hollësi rreth përpjekjeve amerikane të shpëtimit dhe të ndihmave:

Përgjigja emergjente e Shteteve të Bashkuara drejtohet nga kreu i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, apo USAID, Rajiv Shah i cili thotë se synimi kryesor është shpëtimi i jetës së njerëzve pas termertit shkatërrues në Haiti.

“Ne po punojmë agresivisht dhe në mënyrë shumë të bashkërenduar, përmes qeverisë federale për të përdorur të gjitha mundësitë dhe kapacitet tona për të ofruar sa më shumë ndihmë. Synimi i përpjekjeve të ndihmave në 72 orët e para është të shpëtohen sa më shumë jetë të njerëzve”.

Zoti Shah thotë se ekipet e shpëtimit po vlerësojnë shkatërrimet dhe po identifikojnë vendet më të prekura dhe do të drejtojnë përpjekjet e dy ekipeve të stërvitura për të shpëtuar njerëzit e zënë nën rrënoja të ndërtesave të shkatërruara gjatë termetit.

“Secili nga këto ekipe ka nga 72 pjestarë të cilët kanë përvojë dhe mjete të rëndësishme dhe kapacitet teknikë për të ndërmarrë kërkime dhe shpëtime në vende urbane; për të shpuar dhe pastruar rrënojat, sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë për të identifikuar personat të cilët mund të shpëtohen.”

Ushtria e Shteteve të Bashkuara po i dërgon ekipet e shpëtimit përmes avionit të tipit C-130. Ndër të dislokuarit e parë përfshihen inxhinjerë, specialist të komunikimit dhe ekipe për të siguruar dhe operuar aeroportin Port-o-Prins.

Kreu i Komandës amerikane të Jugut, Gjenerali i Forcave Ajrore Daglas Fraser, thotë se marina dhe anijet për sigurinë e kufijëve detarë janë duke dërguar helikopterë të cilët mund të përdorën në misionet e shpëtimit.

“Anijet kanë një numër të kufizuar furnizimesh për asistencë humanitare, por ato kanë aftësi ngritëse dhe kanë disa helikopterë. Po ashtu ne po lëvizim në afërsi të Haitit aeroplanmbajtësen Karl Vinson nga Norkfolku. Ai do të marrë drejt rrugës së tij helikopterë të tjerë ndërsa i afrohet vendit. Shpresojmë ta kemi atë në afërsi të Haitit sot pasdite”.

Gjenerali Fraser thotë se mijëra trupa duke përfshirë edhe marinsa amerikanë, pritet të dërgohen për të ndihmuar me përpjekjet e shpëtimit dhe sigurisë në Haiti.

“Anija për të cilën po flisja është një anije e cila mund të lëviz në ujë dhe tokë. Ajo do të jetë aty pas një apo dy ditësh. Ajo ka edhe një njësi standarte të ekspeditës detare. Anija mund të ketë 2 mijë marinsa por këtë shifër mund të mos e kem të saktë”.

Gjenerali Fraser thotë se anija e cila mund të lëviz në ujë dhe tokë ka kapacit të rëndësishëm mjekësor për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmetit. //rd//

XS
SM
MD
LG